Teatri ‘në letër’ i Kaçanikut dhe pushtetarët teatral
Sharr Travel

Teatri ‘në letër’ i Kaçanikut dhe pushtetarët teatral

Zvarritet puna e teatrit gati dy vjet. Heshtin zyrtarët. Nuk u ha palla për funksionalizimin e këtij tempulli të kulturës. Ben Apolloni, regjisor: Kaçaniku ka një qeveri të keqe, të paaftë, injorante. Komunën tonë e kanë shndërruar në kënetë. Zyrtari i DAK, Zahir Doda arsyetohet se mungojnë mjetet financiare.

Para gati dy vitesh anëtarët e Kuvendit të Komunës së Kaçanikut e votuan iniciativën për themelimin e Teatrit të qytetit.

Sot e asaj dite kjo iniciativë mbeti në letër.

Luhet loja me nerva. Aktorët kaçanikas ngrisin zërin, reagojnë përse po ngjet kjo amulli. Njejtë reagojnë edhe qytetarët, artdashësit.

Pushtetarët heshtin. E zvarrisin punën. Arsyetohen se buxheti është i vogël për ta përmbushur kërkesën e qytetarëve.

Këta të Ministrisë së Kulturës e bëjnë gjimnastikën politike. Nuk ua prishin pushtetarëve lokal. Sipas raportit të një komisioni të Ministrisë (MKRS), të muajit korrik 2018, thuhet se Pallati i Kulturës në Kaçanik nuk i plotëson kushtet që të funksionaluzojë si teatër dhese duhet bërë ndërhyrje rreth meremetimit të objektit.

Flitet edhe për mungesën e aparaturës përkatëse… Pushtetarët lokal nuk qajtën kokën për “kozmetikën” e pallatit.

Teatri i qytetit nuk e sheh dritën, siç flitet, puna e inatit që ka i pari i Komunës me Ben Apollonin , regjisorin, i cili ky e ka kritikuar në disa raste.

Ben Apolloni rrëfen: Teatri nuk funksionon, sepse Komuna nuk funksionon. Kaçaniku ka një qeveri të keqe, të paaftë, injorante. Ata që i prijnë Komunës tonë, po i prijnë mbrapsht, tash e dy dekada. Por fajin kryesor nuk e kanë ata, ata aq dinë, por e kemi ne që i kemi lejuar dhe i lejojmë që Komunën tonë ta shndërrojnë në kënetë.

Funksionimi i Teatrit të Kaçanikut është puna më e lehtë që mund të bëhet, por komunarët as nuk duan as nuk dinë ta bëjnë. Nuk është e rastësishme që Kaçaniku sot, njihet si kryeqytet i ISIS-it në Ballkan. Për këtë epitet kanë kontribuar shumë komunarët, thotë Apolloni.

Apolloni shpreh habinë përse këshilltarët komunal, që e kanë votuar Teatrin, nuk kërkojnë nga qeveria komunale t’ia lidhin kryet punës.

“Teatri ka për qëllim që problemet të cilat i ka një shoqëri t’i vë në dukje, e Teatri i Kaçanikut, ende pa u funksionalizue, po e vë në dukje paaftësinë e qytetarëve të kësaj Komune”, tërhoqi vërejtjen Apolloni.

Zahir Doda, është drejtor i Drejtorisë për Arsim e Kulturë. I pyetur si e komenton zvarritjen e funksionalizimit të Teatrit, përgjigjja e tij qe e shkurtër. Ai tha: Në mungesë të mjeteve financiare nuk janë plotësuar kushtet që ka kërkuar MKRS-ja. / Indeksonline/.