Ramosaj: Këtë vit kemi arritur t’i përmbushim një pjesë të obligimeve
BKT
Kosovë

Ramosaj: Këtë vit kemi arritur t’i përmbushim një pjesë të obligimeve

Numër i madh i qytetarëve kanë marrë pjesë në debatin e dytë publik të komunës së Deçanit, ku patën mundësi diskutimi për të gjitha punët dhe problemet që e kanë shoqëruar komunën gjatë vitit që po lëmë pas.

Para të pranishmëve i pari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në mënyrë të përgjithshme foli rreth projekteve të realizuar gjatë vitit 2019 dhe projektet e pa realizuara që do të barten në vitin 2020.

Ramosaj tha se është obligim moral dhe ligjor që t’i përgjigjet qytetarëve për pakënaqësitë dhe problemet me të cilat përballen, e për këtë arsye i mirëpriti kërkesat dhe pyetjet e qytetarëve të Deçanit.

Qytetari Zenun Nuhaj kërkoi të di arsyet e mos rregullimit të rrugës “Gjirokastra” e cila sipas tij është në gjendje shumë të keqe.

I pari i Deçanit u përgjigj se kjo rrugë e disa të tjera, nuk janë asfaltuar për shkak se ideja ka qenë fillimisht për infrastrukturë nëntokësore dhe sipas tij këto investime do të ishin të kota nëse nuk realizohet fillimisht infrastruktura nëntokësore.

E Latif Bajramaj nga Jasiqi i Ri, u shpreh i zhgënjyer me anashkalimin që sipas tij po i bëhet këtij fshati që nga viti 2009.

Ramosaj tha se është e vërtetë që në fshatin Jasiq nuk kanë investuar e krejt kjo sipas tij për shkak se investimet e parapara kanë shkuar në një fshat tjetër, por premtoi që vitin e ardhshëm do të ketë investime edhe në Jasiq.

Krejt në fund u lansua edhe një video-dokumentar me projektet dhe punët e kryera nga Komuna e Deçanit në vitin 2019.


MË SHUME NGA Kosovë