Kryetari i Suharekës premton se do t’i tejkalojë premtimet e tij
Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, shpalosi për KosovaPress të gjithë punën që ka realizuar brenda dy viteve, ku ka thënë se ka bërë ndryshime të mëdha në këtë qytet duke filluar nga infrastruktura, ekonomia, arsimi, shëndetësia e në shumë sfera të tjera.
Ndërkohë shprehet i bindur se në dy vitet e ardhshme mandatare jo vetëm që do t’i kryej punët e premtuara por do t’i tejkalojë ato.
I pari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tha se premtimet që ia ka dhënë qytetarëve të kësaj komune gjatë fushatës së vitit 2017, i ka realizuar, madje edhe tejkaluar 70 përqind të tyre.
Muharremaj tha se ndryshimet e qeverisjes së tij vërehen edhe në cilësinë arsimore. E krejt kjo fal ndërtimit të shkollave, pajisjeve laboratorike dhe ndërtimit të palestrave sportive. Gjithashtu, ai vlerëson kontributin e nxënësve të shkollës teknike, të cilët kanë bërë dekorimin e qytetit për festat e fundvitit, ku edhe kanë kryer praktiken por edhe e kanë ndihmuar komunën duke kursyer 12 mijë euro.
I pyetur se për çka do të mbahet në mend qeverisja e tij nga qytetarët e Suharekës, Muharremaj u shpreh se do të mbahet në mend për sheshin i cili për herë të parë po bëhet në këtë komunë, për Shtëpinë e Kulturës, Shtëpinë e Pleqve, për arsim, për shëndetësi dhe për të gjitha premtimet e realizuara.
E për t'u kujtuar brezave që vijnë, sakrificën e atyre që dhanë shumë për këtë vend, Muharremaj tha se është në përfundim e sipër të një projekti për renovimin e varrezave të dëshmorëve të Suharekës, si dhe një projekt për ndërtimin e një memoriali përkujtimor të viktimave në masakrën e Berishëve.
Ndër të tjerash, Muharremaj i premton qytetarëve të komunës së Suharekës se edhe në këtë vit do të vazhdojnë me këtë tempull të punës, duke mos i lënë anash familjet skamnore dhe familjet e dëshmorëve.
Krejt në fund Muharremaj shprehet falënderues për bashkëpunimin që ka gjetur te qytetarët e Suharekës gjatë realizimit të projekteve.























