Istogu: Në të gjitha shkollat e Kosovës ka filluar gjysmë vjetori i dytë
BKT
Kosovë

Istogu: Në të gjitha shkollat e Kosovës ka filluar gjysmë vjetori i dytë

Në të gjitha shkollat e Kosovës sot ka filluar gjysmë vjetori i dytë në sistemin e arsimit para universitar për vitin shkollor 2019/20. Zyrtarë të MASHT-it konfirmuan për KosovaPress se procesi mësimor ka filluar me të gjitha përgatitjet e duhura në bazë të rregullave dhe udhëzimeve administrative.

Drejtori i Departamentit të Arsimit Para-universitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, tha se në bazë të informacioneve që ata posedojnë, në të gjitha shkollat e vendit tonë ka filluar gjysmë vjetori i dytë, përveç në Komunën e Kamenicës për të cilën akoma nuk kanë informacione, pasi që sipas tij, kjo komunë nuk iu është përgjigjur MASHT-it në telefonatat dhe email-at që i kanë drejtuar lidhur me këtë çështje.

Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, Rrahman Jashari tha për Kosovapress se, sot zyrtarisht ka filluar gjysme vjetori i dytë në të gjitha shkollat e Kosovës.

Jashari shpreson që sa më shpejt do të formohet qeveria e re, pasi  vonesat në krijimin e saj po krijojnë probleme të shumta në arsim.

Jashari u shpreh i shqetësuar që në Kamenicë mund të ketë telashe për shkak të reformave në arsim që ka bërë kryetari i kësaj komune Qëndron Kastrati.

Ai tha se nuk kanë informacion nëse në shkollat e Kamenicës ka filluar gjysmë vjetori i dytë, por shtoi se është siguruar përmes një kontrate që mësimdhënësit e shkollave të Kamenicës të mos mbesin pa punë dhe sipas kontratës, ata ose do të sistemohen ose do të marrin 70 për qind të pagës.

Jashari ka një mesazh për të gjitha institucionet, e në veçanti për partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit,  prej të cilave kërkon që t’i largojnë dilemat dhe të formojnë qeverinë e re, sipas tij nëse vazhdon kjo gjendje deri në fund të marsit atëherë mund të ketë trazira sociale.

Drejtoresha e shkollës fillore të mesme të ulët “Naim Frashëri”, Shqipe Vllasaliu-Mehmedi, tha se në këtë shkollë, vijojnë mësimin rreth 1 mijë nxënës, e që sipas saj kanë filluar të gjithë gjysmë vjetorin e dytë. Ajo shpreson se kjo pjesë e mbetur e vitit shkollor do të përfundojë me sukses më të madh se sa vitet paraprake.

Hyrë Tejaci, vajza e së cilës vijon procesin mësimor në shkollën fillore të mesme të ulët “Faik Konica”, u shpreh shumë e shqetësuar që edhe gjysmë vjetori i dytë po fillon me problemin e pazgjidhur të peshave të rënda që kanë çantat e fëmijëve

Ajo i bën thirrje MASHT-it që të bëjnë një zgjidhje për këtë pjesë, sipas saj krijimi i dollapëve nëpër shkolla ku fëmijët mund t’i lënë gjysmën e librave do të ishte ide e përkryer.


MË SHUME NGA Kosovë