Haziri, flaka e sivjetme i kushtohet kryengritësit të Anamoravës
Sharr Travel

Haziri, flaka e sivjetme i kushtohet kryengritësit të Anamoravës

Në Gjilan ka filluar tashmë “Flaka e Janarit”, një manifestim ky kulturor, përmes të cilit kujtohen e nderohen heronjtë e kombit, që nga periudha e Skënderbeut e deri ta lufta e UÇK-së.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, nën përkujdesjen e të cilit mbahet manifestimi, ka thënë se “Flaka 2020” i kushtohet kryengritësit të Anamoravës, kolosit të kombit Abdullah Tahiri, në 21 vjetorin e rënies.

“Abdullah Tahirit ka qenë një njeri i drejtpërdrejt dhe impulsiv, i cili ka shpërthyer gjithmonë kundër padrejtësive. Abdullahu i përket grupit të njerëzve të mirë, të njerëzve të mëdhenj që edhe me aktin e sakrificës personale, ka zënë vendin meritor në rreshtin e madh të kolosëve të kombit”, ka thënë kryetari Haziri.

Përndryshe “Flaka e Janarit 2020”, që është hapur me ndezjen e flakadanëve dhe një akademi kushtuar dëshmorit Xhevat Qerimi, do të vazhdojë deri më 31 janar, me aktivitete të tjera, në katër shtyllave kryesore të këtij manifestimi, që i kushtohet heronjve dhe të rënëve për liri.

Aktiviteti i radhës në “Flakën e Janarit 2020” do të jetë “Akademia e Flakës”, më 17 janar, në ora 16:00, në Teatrin e Qytetit në Gjilan e më pas, në ora 17:30, në Galerinë e Arteve, do të hapet Ekspozita Kolektive dhe do të jepen çmimet në kuadër të “Penelit të Flakës”.

“Flaka…” vazhdon me Akademinë për Rugovën, më 21 janar, në shënim të 14-vjetorit të shkuarjes në amshim të presidentit të parë të Kosovës.

“Flaka e Janarit”, është shndërruar në një identitet kulturor për Gjilanin, duke e kthyer qytetin e Anamoravës në një kryeqendër të kulturës mbarëkombëtare pikërisht në muajin më të ftohtë të vitit, i cili u përflakë e u përgjak disa herë gjatë rrugëtimit tonë historik për liri e mëvetësi.

Ky është edicioni i 29-të i “Flakës së Janarit”.


MË SHUME NGA Nacionale