Haskuka: Gjatë kësaj jave do të zgjedhim kryesuesin e Kuvendit Komunal
Në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur në janar të këtij viti, Kuvendi Komunal i Prizrenit në mungesë të kuorumit ka dështuar të zgjedhë kryesuesin.
E këtë javë do të mbahet vazhdimi i seancës, ku kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka, shprehet i bindur se do të arrijnë të zgjedhin kryesuesin.
Haskuka në një intervistë për KosovaPress, thotë se kandidati i Vetëvendosjes, Muharrem Elezkurtaj, do të arrijë që të marrë votat për të udhëhequr me Kuvendin Komunal.
Për KosovaPress, Haskuka ka folur edhe për aktakuzën e ngritur ndaj tre drejtorëve komunalë, hapjen e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve, parkun e biznesit dhe projektet që janë realizuar gjatë kësaj kohe.
“Po mendoj që të kishte vazhduar edhe një raund ne e kishim zgjedhur kryesuesin, se në raundin e parë kemi pasur 18 vota dhe n ë raundin e tretë faktikisht është dashur të ketë kuorum, por në momentin që partitë opozitare në Prizren kanë pa që do të zgjidhet kandidati që ne kemi propozuar, kanë lëshuar sallën dhe nuk ka pasur kuorum dhe pastaj kemi mbetur. Por, në diskutim me LDK-në e cila ka qenë pjesë e koalicionit, mendoj që do të vazhdojmë. Do të caktojmë një datë ose në fillim të javës së ardhshme me siguri që të vazhdojë seanca dhe të zgjidhet kryesuesi”, thotë ai.
I pari i Prizrenit vazhdon ta quajë politike ngritjen e aktakuzës ndaj tre drejtorëve komunal, ndërsa thotë se nuk ka arsye që të njëjtit t’i shkarkojë përkundër që një gjë të tillë e kërkon shoqëria civile në këtë komunë.
Prokuroria në Prizren në dhjetor të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë ndaj Levent Kasemit, drejtor i Shërbimeve Publike nga radhët e Vetëvendosjes, Fejzë Kabashit të LDK-së, drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqirit, drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi, Ganimete Babunës, asamblistë, si dhe Ares Shporta nga shoqëria civile, të gjithë anëtarë të Komisionit për Dhënie në Shfrytëzim të Pronës Publike e që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kreu i Komunës thotë se në këtë rast të gjitha procedurat kanë kaluar nga asambleja komunale dhe se nuk ka prova se ka keqpërdorim të detyrës nga drejtorët.
“Këtu kemi një precedentë juridik që gjyqtari ose prokurori i rastit e merr kallëzimin penal të individit nuk po foli me emra dhe e kthen në aktakuzë. Unë mendoj që kjo aktakuzë është politike, nuk ka bazë juridike, se për të pasur diçka të tillë duhet të tregohet qëllimi dhe përfitimi. Këtu kemi të bëjmë me një objekt i cili në total është diku rreth 19 metra katrorë, do të thotë 5 anëtarë të komisionit çfarë përfitimi mund të kenë prej një objekti 19 metra katrorë. Nuk ka kurrfarë prove për keqpërdorim të detyrës, nuk ka kurrfarë prove nga ajo aktakuzë që është ngritur dhe më të vërtetë është për keqardhje kjo gjendje momentale dhe keqpërdorimi i prokurorëve të caktuar për qëllime politike”, thotë kreu i komunës.
Kryetari Haskuka thotë se një aktakuzë e tillë më shumë është për të penguar punën e Komunës së Prizrenit.
“Ne jemi në ballafaqim me një sistem, i cili e ka keqpërdorur të gjithë pronën publike në Prizren. Ne kemi dërguar me dhjetëra dosje të keqpërdorimeve që janë bërë, ndaj shumicës së këtyre dosjeve nuk janë marrë veprime ose nuk kanë marrë hetime elementare për me e vërtetua saktësinë. Edhe në këtë aspekt derisa drejtorët të cilët janë ballafaquar me këto gjëra tash iu kthehen në forma të aktakuzës unë mendoj që kjo është vetëm për tà « frikësuar qeverisjen komunale që mos të merret me lirimin e pronës publike, me rregullimin e problemeve që i kemi këtu”, thotë Haskuka.
Sa i përket funksionalizimit të plotë të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve, Haskuka thotë se të gjitha procedurat mund të përfundojnë brenda këtij muaji dhe në të njëjtin muaj të bëhet edhe hapja e parkut.
“Ideja e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve është që aty të jepen këto ndërtesa në shfrytëzim bizneseve të cilat punojnë në inovacion apo trajnime, në fushën e telekomunikacionit, IT-së, kulturës, turizmit, agro-përpunimit të ushqimit dhe industritë tjera që kanë të bëjnë me inovacionin. Të gjitha procedurat ose të gjitha dokumentacionet për vendimmarrje për mënyrën e udhëheqjes, do të thotë momentalisht është duke u menaxhuar nga GIZ-i gjerman, është proje kti i qeverisë gjermane, Qeverisë së Kosovës dhe komunës. Obligimet tona lidhur me kampin janë përfunduar që nga dhënia e pëlqimeve të ndryshme për infrastrukturë deri tek plani urbanistik. Ka mbetur disa gjëra procedurale dhe disa nënshkrime për bartjen e kompetencave në organizatën e cila do të quhet Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve. Mendoj që kjo mund të kryhet shumë shpejt brenda muajit mund të kryhet dhe pse jo gjatë muajit shkurt ta bëjmë hapjen e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve”, thotë ai.
I pari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, potencon se si komunë janë përballur në vazhdimësi me pengesa në finalizimin e projekteve nga niveli qendror.
Ai përmend që zona ekonomike nuk ka arritur të përfundojë për shkak të mos dhënies së disa pëlqimeve nga ana e ministrive, ani pse thotë se kërkesat për këto pëlqime janë bërë tash e një vit.
“Unë nga janari i vitit të kaluar kur kam dërguar kërkesën e parë, tash bëhen një vit nuk kam marrë asnjë përgjigje nga ministritë e caktuara. Do të thotë është dashur një pëlqim nga Ministria e Kulturës që të thotë që aty nuk është zonë arkeologjike, aty dihet që nuk ka zonë arkeologjike dhe nuk ka pasur nevojë që të presim një vit për një përgjigje. Njëjtë nga Ministria e Bujqësisë është dashur me marrë pëlqimin që toka bujqësore të kthehet në tokë industriale, pasi është zona në planin urbanistik, pasi zona ekonomike ka kaluar nga asambleja komunale, pasi ne i kemi bërë të gjitha dokumentacionet është dashur që ky pëlqim të vijë brenda javës, se nuk ka ndonjë filozofi aty kur janë të gjitha dokumentacionet, nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje. Për shkak të pesë pëlqimeve që janë një faqe dhe një nënshkrim të ministrit, ne kemi mbetur peng për të hapur zonën ekonomike. Tash kur do të kemi qeverinë e re mendoj që këto gjëra duhet të përfundojnë sa më shpejt që ta funksionalizojmë zonën ekonomike”, deklaron ai.
Ai përmend se zona ekonomike në këtë komunë është 80 hektarë, ku në 40 kanë bërë rregullimin e rrugëve, ujit, kanalizimit e rrymës, por që pa marrë pëlqimet nuk mund t’i lëshojnë për bizneset që duan të investojnë.
Sa i përket ndërtimit të çerdheve në këtë komunë, ai thotë se deri në fund të mandatit do të kenë të përfunduara gjashtë të tilla.
“Ne kemi premtuar 4 çerdhe, momentalisht një e kemi ndërtuar për 200 nxënës ose 200 fëmijë, një tjetër edhe për një vit përfundon, dy të tjera do të fillojmë sivjet janë përfunduar proceset e marrëveshjeve me organizatat e ndryshme të cilat do t’i ndërtojnë ato. Por, çka është më e mira kemi edhe dy çerdhe të tjera që do të ndërtohen nga komuniteti vet, ne dhënë tokën, i kemi dhënë lejet dhe besoj që do të ndërtohet. Në fund të mandatit 4 vjeçar do të kemi 6 çerdhe në Prizren”, thotë ai.
Një nga pikat që si komunë kanë prioritet, Haskuka thotë se është zhvillimi i turizmit në këtë komunë. Ai përmend se vitin e kaluar kanë hapur shtigje të reja për biçikleta, shtigje të reja për piknik, destinacion të ri turistin në ujëvarat e Korishës, Via Ferrata, paraglajdingun, ndërsa thotë se do të vazhdojnë të punojnë edhe më shumë për turizmin në këtë komunë.
Kreu i Prizrenit përmend edhe turizmin kulturor në këtë komunë, ku thotë se muzeu i Lidhjes së Prizrenit është më i vizituari në vend.























