Bahtiri takon shefin e ri të EULEX: Situata e sigurisë në Mitrovicë e qetë

Bahtiri takon shefin e ri të EULEX: Situata e sigurisë në Mitrovicë e qetë

Kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri, ka pritur në takim shefin e ri të misionit evropian për sundim të ligjit EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Në këtë takim Bahtiri, vlerësoi lartë bashkëpunimin e komunës me zyrtarët e EULEX-it.

Ai e informoi të parin e këtij misioni mbi gjendjen aktuale politike e të sigurisë në Mitrovicë, për të cilën tha se është e qetë dhe pa probleme.

“Së pari ju uroj punë të mbarë në postin tuaj të ri, duke ju njoftuar se ne kemi pasur çdo herë bashkëpunim të shkëlqyeshëm me pjesëtarët e EULEX-it, andaj shpresoj që raporte akoma më të mira do të kem edhe me ju, duke marrë parasysh që misioni juaj është shumë i rëndësishëm për shtetin tonë. Në komunën tonë janë bërë hapa të mëdhenj në stabilizimin e plotë të gjendjes së përgjithshme. Për këtë gjë u jam mirënjohës prezencës së KFOR-it, Policisë së Kosovës, Ambasadave, dhe të gjithë ata që kontribuuan në ruajtjen e paqes për qytetin tonë”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

I pari i EULEX-it falënderoi për mirëpritjen dhe u shpreh të jetë i kënaqur me të arriturat e qytetit dhe punën e kryetarit Bahtiri, duke shtuar se bashkëpunimi i mirë i deritanishëm ndërmjet Komunës dhe EULEX-it vetëm sa do të intensifikohet dhe të pasurohet edhe më shumë, me qëllimin e vetëm të realizimit të kërkesave të qytetarëve për të jetuar në paqe dhe siguri të plotë.

Në fund të dy u pajtuan të mbesin vazhdimisht në kontakt dhe të jetë i informuar lidhur me të gjitha ngjarjet në Komunën e Mitrovicës, në mënyrë që bashkërisht të kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë së qytetit.


MË SHUME NGA Nacionale