​Fakulteti i Gjeoshkencave me numër të vogël të studentëve e pa përkrahje

​Fakulteti i Gjeoshkencave me numër të vogël të studentëve e pa përkrahje

Mosakreditimi institucional i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, në procesin e fundit të akreditimit në korrik të vitit 2019, ka nxitur reagime të shumta, sepse bëhet fjalë për profile studimi, siç janë programet e Fakultetit të Gjeoshkencave, që nuk ofrohen tjetërkund në Kosovë, ndërsa mbyllja e tyre do të shkaktonte pasoja të mëdha për ekonominë dhe industrinë e vendit.

Kështu u tha të martën në Mitrovicë, gjatë prezantimit të raportit “Gjendja në Fakultetin e Gjeoshkencave të Universitetit të Mitrovicës”, të realizuar nga organizata joqeveritare ‘Admovere’.

Drejtori ekzekutiv i organizatës ‘Admovere’, Shkëlzen Gashi, pasi ka falënderuar përfaqësuesit e UMIB-it në krye me rektorin, Alush Musaj, për ndihmën e dhënë rreth hartimit të këtij hulumtimi, ka bërë të ditur se hulumtime të tilla janë bërë edhe në universitete tjera, duke përfshirë fakultetet të cilat kanë rrezikuar mbylljen, siç janë Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Prishtinës dhe të ngjashme.

Aulonë Memeti, njëra prej hartueseve të raportit, tha se për ta kuptuar situatën më mirë pas heqjes së akreditimit, ata kanë shqyrtuar edhe raporte të akreditimit të ekspertëve ndërkombëtarë.

Duke numëruar disa gjetje të këtij raporti, ajo potencoi se Fakulteti i Gjeoshkencave në kuadër të UMIB-it, shfaqet me numrin më të vogël të regjistrimit të studentëve të rinj.

Memeti: Fakulteti i Gjeoshkencave me numrin më të vogël të regjistrimit

“Fakulteti i Gjeoshkencave në kuadër të UMIB-it shfaqet me numrin më të vogël të regjistrimit të studentëve të rinj për periudhën 2014/15 dhe 2018/19. Dhe në kuadër të gjeoshkencave, programi materiale dhe metalurgji del me numrin më të vogët të të regjistruarve ndër vite. Po ashtu vërehet një rënie drastike e numrit të regjistrimeve nga ana e studentëve gjatë kësaj periudhe”, ka thënë Memeti.

Ardit Kikaj, po ashtu hartues i raportit, ka përmendur veç tjerash se Bordi këshillëdhënës si organi i themeluar nga Universiteti i Mitrovicës, për Fakultetin e Gjeoshkencave nuk ka ndonjë efektivitet.

Kikaj: Bordi nuk ka ndonjë efektivitet për Fakultetin e Gjeoshkencave

“Ne kemi dal në përfundim se njëri prej organeve relativisht të reja që i ka themeluar Universiteti i Mitrovicës, që është Bordi këshillëdhënës i universitetit, për Fakultetin e Gjeoshkencave nuk e ka ndonjë efektivitet”, theksoi Kikaj.

Ndërkaq, Alush Musaj, rektor i universitetit të Mitrovicës, duke përmendur se hulumtimet e tilla ndihmojnë, tha se gjendja faktike mund të përmirësohet shumë sepse Fakulteti i Gjeoshkencave ka profesorë ndër më të përgatiturit në nivel të Kosovës.

Sipas tij, Fakulteti i Gjeoshkencave nuk është ndihmuar shumë nga ministria, e cila përkundër premtimeve, asnjëherë nuk ka dhënë rezultate konkrete në fusha të caktuara.

Musaj: Ministrat premtuan ndihmë por nuk ndodhi

“Gjithmonë na ndihmojnë hulumtimet që kanë të bëjnë me realitetin dhe pa improvizime. Këto kanë nxjerr një rezultat që është faktik, por që mund të përmirësohet shumë, sepse Fakulteti i Gjeoshkencave u tha se ka profesorë ndër më të përgatiturit në nivel të Kosovës, dhe ky fakultet nuk është ndihmuar shumë nga ministria. Pothuajse çdo ministër i ri që vjen për Zhvillim Ekonomik, na kanë premtuar ndihmë, dhe asnjëherë nuk kanë dhënë rezultate konkrete për me ndihmu në fushat që ne i kemi thënë, specifikisht që studentët e këtij fakulteti të ndihmohen me bursa”, u shpreh rektori Musaj.

Në anën tjetër, Naser Peci, dekan i Fakultetit të Gjeoshkencave, theksoi se programet e Fakultetit të Gjeoshkencave janë unike në tërë territorin e Kosovës.

Ai shtoi se në këto programe bazohet edhe sektori minerar, që konsiderohet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik.

Peci: Fakultetit të Gjeoshkencave një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik

“Janë disa pika kyçe që janë në raport të cilat lidhen me funksionalizimin, por edhe me të ardhmen e Fakultetit të Gjeoshkencave. Ajo që pajtohemi të gjithë është shumë e qartë, janë programe unike në tërë territorin e Kosovës…Jemi të interesuar që të mbajmë shumë thellë këto programe, pse, sepse janë programe në të cilat bazohet edhe sektori minerar që konsiderohet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, sqaroi Peci.


MË SHUME NGA Nacionale