​Rahoveci komuna më transparente për 2019
BKT
Kosovë

​Rahoveci komuna më transparente për 2019

Instituti Demokratik i Transparencës ka publikuar sot Indeksin e Transparencës dhe Llogaridhënies të Komunave të Kosovës për 2019, ku Rahoveci është renditur i pari.

KDI ka bërë matjen e transparencës në 38 komuna me qëllim të pasqyrimit të rezultateve si hap i parë për ngritjen e nivelit të transparencës.

Gjatë këtij hulumtimi, KDI ka monitoruar 34 komuna përderisa OJQ “Aktiv” ka kryer hulumtimin në katër komunat veriore Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Caleb Waugh nga OJQ ‘Aktiv’, tha se pavarësisht sfidave dhe problemeve, ka pasur përmirësime të ndjeshme në rritjen e transparencës dhe vendimmarrjen në pushtetin lokal.

“Është një nivel i thellë i qeverisjes në raport me qytetarët që luajnë një rol të rëndësishëm për qytetarët në shtetin tonë, është një indikator i nivelit të hapur që operojnë komunat në nivelin politik në procesin e vendimmarrjes. Një seri e akteve legjislative ka vendosur një qeverisje të mirë kur vjen te qasja e informacioneve në procese të ndryshme vendimmarrëse. Kjo e ka vërtetuar transparencën në komuna”, tha Waugh.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbot tha se përmes digjitalizimit, është bërë e lehtë për qytetarët e Kosovës që të njihen me transparencën në komunat ku ata jetojnë.

“Sot KDI së bashku me OJQ AKTIV do të prezantojnë rezultatet e matjes ku do të shohim se cila nga komunat ka bërë përpjekje që të jetë më i hapur në transparencën e komunave të Kosovës. E dimë që nganjëherë me kapacitete njerëzore është vështirë ta përmbushni këtë detyrim, por fatmirësisht tani me digjitalizim është bërë shumë e vështirë t’i ikim këtij detyrimi. Transparenca në nivel qendror dhe po ashtu atë lokal shërben për të luftuar korrupsionin që për fat të keq është shumë i theksuar në Kosovë”, deklaroi Abbot.

Mihrie Rexhepi, ministre e Pushtetit Lokal, tha se niveli lokal varet nga transparenca e punës lokale andaj edhe përgjegjësia iu takon pikërisht kryetarëve të komunave.

Ajo ka bërë të ditur se tashmë kanë nënshkruar projektin me Bankën Botërore për fondet në vlerë 3 milionë euro për t’i ndihmuar komunat me grante.

“Ne përmes fondeve tona, jo vetëm nëpërmjet buxhetit qeveritar dhe donatorëve, para disa ditëve e kemi kontratën më Bankën Botërore dhe një informatë shumë e rëndësishme për të gjithë ju është që në tre vjetët e ardhshme do të menaxhojnë fonde për 3 milionë euro dhe këto do të jenë investime kapitale dhe përkrahje për të rinjtë që dëshirojnë të zhvillojnë biznese në nivel lokal dhe me këtë do të zvogëlojmë papunësinë e njerëzve tanë”, tha Rexhepi.

Ndryshe, sipas KDI-së, çmimin e parë për transparencën më të lartë në nivel të Kosovës e fitoi Komuna e Rahovecit. Çmimin për asamblenë më të mirë komunale e fitoi Komuna e Malishevës, ndërsa çmimin për komunën me progres më të madh për vitin e kaluar e ka marrë Komuna e Graçanicës.

Kontakti për zyrtarët për informim janë të publikuar në 32 Komuna, katër komuna të veriut nuk kanë të dhëna të publikuara për zyrtarët për informim, ndërsa Komuna e Dragashit dhe Juniku nuk ka fare zyrtarë për informim, kurse sa i përket Rregullores për ngacmime seksuale nuk ka asnjë nga 38 komunat dhe KDI vazhdimisht ka rekomanduar që komunat të hartojnë një rregullore të tillë.

Ndër rekomandimet që KDI ofron janë materialet përcjellëse për seancat e kuvendeve komunale, konsolidimin e këshillit të fshatrave-bashkësive lokale, përdorimi i gjuhëve zyrtare, emërtimi adekuat i dokumenteve të veçanta, rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në takime publike dhe rekomandime të tjera.


MË SHUME NGA Kosovë