Italianët s`e morën seriozisht koronavirusin
Profesoresha universitare, Majlinda Bregasi, që po qëndron e mbyllur në Itali ka paralajmëruar se neglizhenca ndaj koronavirusit mund të kushtojë shumë shtrenjtë.
Ajo tha se siç po e sheh në rrjetet sociale as në Kosovë nuk po e marrin shumë seriozisht mbylljen nëpër shtëpia – si e vetmja zgjidhje që parandalon një katastrofë të mundshme të përhapjes së këtij virusi, njofton Klan Kosova.
“Italia është vendi që ka më shumë raste dhe ndoshta është në këtë vend për shkak se ka bërë shumë analiza. Italia e nënvlerësoi pak në fillim. Në fakt populli italian e nënvlerësoi, ashtu siç po shoh që po e nëvlerëson populli në Kosovë”.
“Unë nuk them reduktoni takimet, por ndalojeni ato. Duke e marrë parasysh gjendjen e mjekësisë në Kosovë, brenda një javë mund të përballet me katastrofë”.
“Të dyja janë keq. Edhe neglizhenca edhe paniku. Por, besoj që paniku mund t’i detyrojë dhe t’i respektojë rregullat. Ne këtu jemi të mbyllur dhe i bëjmë shpenzimet online dhe unë nuk dal nga shtëpia”.
“Nëpër familje vetëm një person del për të blerë ilaçe apo ushqime. Secili nga ne duhet të ketë një certifikatë me vete. Në rast se bën deklaratë të rremë gjobat janë 5 mijë euro minimumi. Dënimet që mund të jesh i infektuar, të kesh simptomat dhe të dalësh është deri në 20 vjet burgim”.
“Italia ka marrë masa të rrepta, por edhe po tregohet më humane sepse s’po e llogarit ekonominë para jetës së njeriut”.
Bregasi tha se këshillat ndaj koronavirusit mund të jenë spekulative sepse nuk nuk dihet se çka është në të vërtetë.
Ajo bëri thirrje që të rrinë në shtëpi, të paktën për disa javë.
“Kur u shfaq fillimisht në Lombardi, nuk e morën seriozisht. Të rinjtë kërcenin nëpër disko, por kur situata eskaloi në mënyrë të paimagjinueshme, paniku i kaploi”.
“Të rinjtë janë bartës të virusit dhe neglizhenca e të gjithë neve sjell pasoja. Njerëzit e kanë marrë me shaka, po shpresoj që Kosova nuk do të përkeqësohet sepse këto shaka që po bëjnë njerëzit do t’iu kthehen boomerang”.
Ajo tregoi se Italia ka marrë masa të rrepta, por edhe mbrojtëse duke thënë se janë pezulluar të gjitha qiratë, kreditë deri në përfundim të krizës për qytetarët italianë.
Kjo po bëhet me qëllim që njerëzit të mos shqetësohen për ekonominë dhe të mos dalin të punojnë.























