Gjilani vazhdon mobilizimin kundër koronavirusit
BKT
Kosovë

Gjilani vazhdon mobilizimin kundër koronavirusit

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka mbledhur sot Komisionin Komunal për Emergjenca, udhëheqësit e Policisë së Kosovës, të shëndetësisë primare, të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Spitalit Regjional dhe nga informatat e fundit është konfirmuar gjendje e qetë pa raste të dyshuara për koronavirus.

Ismajli, ka thënë gjithashtu se rekomandimet e institucioneve komunale dhe atyre të komisionit emergjent janë duke iu përmbajtur në mënyrë perfekte qytetarët në përgjithësi, komuniteti i biznesit dhe të gjithë punëtorët që në këto ditë janë duke dhënë shërbimet e tyre.

Nga ky takim është konfirmuar gjithashtu se edhe shërbimet e ndërmarrjeve publike janë duke u kryer në bazë të detyrës që e kanë por me staf të reduktuar.

Është potencuar që të gjithë qytetarët të cilët kanë simptomat e dyshuara me këtë virus menjëherë të lajmërojnë ekipet mjekësore të shëndetësisë primare dhe të respektohet metoda e vetizolimit apo garantimit.

Sipas njoftimit të komunës menaxhimi i materialit teknik është duke u bërë në bazë të kërkesave emergjente dhe nevojave të domosdoshme në bazë të prioriteteve, me theks të veçantë në institucionet e shëndetit dhe atyre të sigurisë.

Për çdo rast, qytetarët mund të kontaktojnë këta numra, të cilët janë në dispozicion për 24 orë: 112, 192, 193 dhe 194.

Qendra e Komisionit emergjent të Gjilanit, është në konviktin e shkollave të mesme, ku prej aty po menaxhohet kjo situate me bazë të raportimeve të shpeshta dhe kontakteve të vazhdueshme me të gjitha nivelet dhe të gjithë resorët.


MË SHUME NGA Kosovë