Komuna e Skënderajt i ndan 139 mijë euro për luftimin e koronavirusit

Komuna e Skënderajt i ndan 139 mijë euro për luftimin e koronavirusit

Komuna e Skënderat sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal ka marrë vendim që t’i ndajë 139 mijë euro për luftimin e koronavirusit.

Këto mjete janë bartur nga Drejtoria e Urbanizmit, mjete këto që do të shfrytëzohen për mbulimin e kërkesave dhe nevojave të Shtabit Emergjent të Skenderajt, më saktësisht për menaxhimin e situatës së krijuar nga ky virus, duke përfshirë këtu furnizimin me barna ose përkrahjen për rastet sociale.

Si masë tjetër parandaluese është bërë pastrimi e dezinfektimi i rrugëve, i të gjitha hyrjeve të banesave në Skënderaj, kurse tani është në procedurë edhe dezinfektimi i institucioneve shkollore, shëndetësore, atyre të sigurisë etj.

Kreu i Komunës, Bekim Jashari, bëri të ditur se me qëllim të identifikimit paraprak të pacientëve të prekur me COVID-19, është vendosur tenda me ekip mjekësor në hyrje të QKMF-Skenderaj, si masë preventive.

Gjithashtu për të regjistruar personat që kanë ardhur në Skenderaj, në dy javët e fundit, është lansuar edhe platformën online ku qytetarët po regjistrohen dhe QKMF po i kontakton rregullisht për t’u siguruar që gjendje e tyre është stabile.

Në Kosovë aktualisht numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka shkuar në 86, është shënuar një viktimë, teksa zyrtarisht raportohet se është shëruar edhe 1 person.