Thaçi fton kryetarët e komunave, t`i pajisin me telefona fëmijët e varfër
BKT
Kosovë

Thaçi fton kryetarët e komunave, t`i pajisin me telefona fëmijët e varfër

Zëvendësministri në detyrë i MASHTI-t, Jusuf Thaçi, u ka bërë thirrje sot kryetarëve të komunave të Kosovës që të ndjekin shembullin e Prishtinës për t’iu dalë në ndihmë fëmijëve të familjeve të varfra me pajisje elektronike për të ndjekur mësimin online.

Pas vendosjes së masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në nivel vendi, procesi mësimor është duke u zhvilluar nga distanca dhe shumë prej fëmijëve nuk posedojnë telefona, kompjuterë apo tabletë.

Në këtë mënyrë ata e kanë të vështirë që të jenë në hap me nxënësit e tjerë për të ndjekur mësimin në platformat online.

Kohë më parë, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti u bëri thirrje të gjithë atyre që posedojnë telefona, kompjuter apo tabletë që nuk i përdorin, t’ua dhurojnë fëmijëve që nuk i posedojnë, thirrje kjo që zëvendësministri Thaçi kërkon të ndiqet si shembull edhe nga kryetarët e komunave të tjera.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Në çdo komunë ka familje të varfëra që kanë fëmijë e nxënës që duhet ta ndjekin mësimin në distancë, por shumë prej këtyre familjeve nuk kanë pajisje dhe rrjet (TV dhe kabllovik për ta ndjekur mësimin në RTK 4 ose pajisje teknologjike dhe internet për ta ndjekur mësimin në Youtube dhe për të komunikuar me mësimdhënësit).

Prandaj ju bëj apel Kryetarëve të Komunave që ta ndjekin shembullin e Prishtinës dhe:

1. T'i identifikojnë këto familje që kanë nevojë për këtë lloj ndihme.

2. T'i ftojnë bizneset dhe individët vullnetmirë që të ofrojnë falas pajisje (TV e pajisje teknologjike) dhe pako kablloviku ose interneti për këto familje.

Gjithashtu, sipas mundësive financiare dhe procedurave ligjore, komunat me buxhetin e vet t'i pajisin këto familje me këto mjete, në mënyrë që mësimi në distancë të mund të ndiqet nga të gjithë fëmijët e nxënësit, pavarësisht kushteve financiare e ekonomike të familjes. 

Pabarazinë që ka krijuar sistemi ynë ekonomiko-politik nuk guxojmë ta lëmë të kulmojë me krey-padrejtësinë që fëmijët e nxënësit e familjeve të varfëra i privon nga e drejta më themelore: shkollimi.


MË SHUME NGA Kosovë