Ethet Hemorragjike vazhdojnë të jenë problem për Malishevën
Sharr Travel

Ethet Hemorragjike vazhdojnë të jenë problem për Malishevën

Që nga paslufta, 18 persona kanë vdekur nga Ethet Hemorragjike Krime Kongo vetëm në Komunën e Malishevës.

Edhe këtë vit, në nivel vendi, janë regjistruar mbi 800 pickime nga rriqrat, gjysma nga të cilat janë nga Malisheva. Zyrtarë nga kjo komunë thonë se për të parandaluar më të keqen, i kanë ndërmarrë disa masa preventive.

Ethet Hemorragjike Krime Kongo vazhdojnë të jenë problem për Komunën e Malishevës, ndonëse nga viti 2014, përveç pickimeve nuk ka asnjë rast vdekjeje. Drejtori i Shëndetësisë nga kjo komunë, Liridon Hoti, i tha Radio Kosovës se përkundër përgatitjeve dhe masave preventive që kanë ndërmarrë, ka një numër të konsiderueshëm të pickimeve. 

“Edhe këtë vit, Malisheva po përballet me Ethet Hemorragjike Krime Kongo. Për momentin, numrin e të thumbuarve nga rriqrat e kemi 329. Pra, është i njëjtë pothuajse me vitet e kaluara. Nuk kemi ndryshime dhe nuk kemi raste më shumë se në vitet e kaluara. Ne, edhe këtë vit, me kohë i kemi bërë përgatitjet e nevojshme, sikurse viteve të kaluara”, tha Hoti. 
Kundër përhapjes së etheve hemorragjike, Malisheva ka ndarë 60 mijë euro për dezinfektimin e zonave të rrezikuara dhe për informimin e publikut. Megjithëkëtë, drejtori Hoti thotë se ka një shqetësim. 

 “Një shqetësim i madh për ne është repilimi i kafshëve që nuk është bërë këtë vit dhe as vitin e kaluar, pasi kjo është ndër hallkat kryesore që bënë shkëputjen e bartjes së etheve hemorragjike”, tha ai. 

Në nivel vendi, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, deri tash janë regjistruar mbi 800 pickime nga rriqrat. 
Infektologu Sali Ahmeti, thotë se ndonëse në dy vitet e fundit nuk pati asnjë vdekje nga ethet hemorragjike, qytetarët duhet të kenë kujdes.

“Kjo nuk duhet të na relaksojë, pasi kushtet klimatike që janë të ndërlidhura me këtë sëmundje sivjet, janë favorshme për më shumë raste – dimri i butë, pranvera me të reshura e temperaturat e larta që pritet të fillojnë, krijojnë kushte të favorshme për shfaqjen e sëmundjes dhe këtë duhet ta kemi parasysh”, tha ai.

Nga virusi i etheve hemorragjike, gjatë 2013-ës, kur ishin mbi 5 mijë persona të pickuar nga rriqrat, kanë vdekur 11 persona. Komuna e Malishevës njihet si vatër endemike e rriqrave, ku nga paslufta si pasojë e etheve hemorragjike Krime Kongo kanë vdekur 18 persona.

 

 

Autor: Pajtim Quni


MË SHUME NGA Nacionale