PDK: Haskuka po vazhdon me degradimin urban në Prizren
Sharr Travel

PDK: Haskuka po vazhdon me degradimin urban në Prizren

Partia Demokratike e Kosovës dega në Prizren ka thënë se qeverisje lokale në këtë komunë e udhëhequr nga VV, edhe gjatë fazës së pandemisë, ka bërë shumë gabime.

“Gjatë kësaj faze, kemi qenë më të rezervuar në të bërit opozitë, por me qëllim të mbrojtjes së interesit publik, ne do të vazhdojmë denoncimin e dukurive negative. Kësaj radhe, do të merremi me degradimin urban dhe të ambientit, ku si dukuri negative në qytetin e Prizrenit të udhëhequr nga VV dhe kryetari Haskuka nuk ka të ndalur. Një nga dukuritë negative që është në rritje e sipër, është edhe ndërtimi i të ashtuquajturave VILLA, të cilat tashmë janë ndërtuar në shumë lokacione në territorin e Komunës së Prizrenit”, thuhet në njoftimin për media.

PDK ka theksuar se ky fenomen i degradimit urban, ka vazhduar edhe gjatë kohës së pandemisë, që është paradoks i llojit të veçantë dhe në vijim do të paraqesim rastin më të ri, që po ndodh këto ditë.

“Në lokacionin tek udhëkryqi i vogël afër autostradës, ku gjindet pompa e derivative ‘’Arbëria’’ dhe pas servisit ‘’Mercedes’’ dhe sallonit të dasmave ‘’Nafron’’ tashmë është ndërtuar një kompleks i tillë dhe një tjetër ka filluar të ndërtohet pikërisht gjatë kohës së pandemisë. Banorët e shqetësuar në këtë pjesë banimi, e kanë ngritur këtë çështje, dhe ata thonë se nga Drejtoria e Urbanizmit janë siguruar se ai projekt në ndërtim e sipër nuk ka leje nga Drejtoria në fjalë, por se leja është dhënë nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Banorët e lagjes, kanë kontaktuar edhe me zv.Ministrin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe nga ai është konfirmuar se Ministria nuk jep leje për ndërtim në asnjë rast, por merret vetëm me ankesa në raste të veçanta”, thuhet më tej në njoftim.

PDK pohon se Inspektorati i Komunës së Prizrenit, nuk e ka penguar fare në punë investitorin, që do të duhej ta bënte një gjë të tillë, deri sa nuk ka fare leje.

“Imponohet pyetja, se pse nuk ka koordinim mes Drejtorisë së Urbanizmit dhe asaj të Inspektoratit? Si është e mundur që ndërtime të natyrës së tillë, të fillojnë në kohë të pandemisë? Kjo çështje përveq që duhet trajtuar nga aspekti ligjor dhe institucional, është edhe një tregues jo i mirë i moralit, sepse ka dyshime të bazuara se VILLA të tilla, nuk përdoren për qëllime të mira dhe me kësi veprime, askush nuk mund të krenohet. Ekspanzioni i këtyre VILLA-ve, sidomos kur janë në kundërshtim me ligjin, nuk duhet toleruar as minimalisht, kurse ajo që po bënë Komuna e Prizrenit si pasojë e keqmenaxhimit, në fakt këto lloje të aktiviteteve madje edhe po favorizohen”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Nacionale