​Pastrohet Liqeni artificial në Mitrovicë
Sharr Travel

​Pastrohet Liqeni artificial në Mitrovicë

Komuna e Mitrovicës së bashku me Kompaninë rajonale për mbledhjen e mbeturinave KRM - ‘Uniteti’, si dhe Shoqatën e peshkatarëve sportiv-rekreativ ‘Ibri’ (SHPSR), kanë ndërmarrë sot një aksion të përbashkët për pastrimin e Liqenit artificial në Mitrovicë.

Këtij aksioni i janë bashkangjitur edhe një numër simbolik i qytetarëve vullnetarë, të cilët kanë shprehur interesimin që me kontributin e tyre t’i japin pamje sa më të bukur këtij liqeni.

Derisa përfaqësuesit komunalë nuk deshën të flasin para kamerës, kryetari i SHPRS-së, Fuad Lushta, ka bërë të ditur për KosovaPress, se përveç pastrimit, qëllimi i këtij aksioni është edhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e ambientit dhe mos hedhjen e mbeturinave në liqe.

Lushta: Apeloj tek të gjithë qytetarët ta mirëmbajnë liqenin

(video)

“ Ne si shoqatë kemi shprehur interesimin me marrë pjesë në pastrimin e liqenit… Është një liqe jashtëzakonisht i bukur, por ka marrë një pamje pak sa të shëmtuar. Apeloj tek të gjithë qytetarët e Mitrovicës që të mos hedhin mbeturina dhe ta mirëmbajnë sa më shumë liqenin e Mitrovicës tonë”, ka thënë Lushta.

Ndryshe, liqeni artificial në Mitrovicë, i ndërtuar më 2017 me një donacion prej rreth 4.5 milion euro nga Bashkimi Evropian dhe qeveria e Kosovës, ka gjatësi prej 1.7 kilometrash, gjerësi 150 metra dhe thellësi deri në 4 metra, ndërsa shtrihet përgjatë rrjedhës së lumit Ibër në mes të Mitrovicës dhe fshatrave Suhodoll, Zhabar, Gushafc dhe Vinarc. 


MË SHUME NGA Nacionale