Prishtinë: Shpallet konkursi për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe publike
Pajtim Çuni
Nga e hëna, Komuna e Prishtinës ka shpallur konkursin për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet publike për vitin 2020-2021. Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës thonë se në tetë institucionet parashkollore publike në kryeqytet, këtë vit janë të lira 343 vende. Aplikimi që ka fillua më 22 qershor do të zgjas deri më 6 korrik.
Rreth 350 fëmijë do të regjistrohen këtë vit në tetë institucionet parashkollore publike të kryeqytetit. Komuna e Prishtinës, konkursin me kriteret për regjistrimin e fëmijëve në kopshte e ka hapur këtë të hënë. Zëdhënësja, Miranda Mullafazliu, në një prononcim për Radio Kosovën tregoi se ky konkurs do të jetë i hapur deri në fillim të korrikut.
“Konkursi do të jetë i hapur deri më 6 korrik. Numri i vendeve të lira për regjistrimin e fëmijëve është 343, për grupmoshat e ndryshme. Prindërit të cilët janë të interesuar për regjistrimin e fëmijëve në tetë çerdhet publike të Prishtinës, kriteret mund t’i gjejnë në veb faqen e komunës dhe në rrjete sociale”, tha ajo.
Sipas konkursit, të drejtë aplikimi kanë fëmijët prindërit e të cilëve janë banorë të Prishtinës. Përzgjedhja e fëmijëve që do të pranohen bëhet në bazë të kritereve të paracaktuara nga kopshtet. Zëdhënësja Mullafazliu tha se komuna e Prishtinë është duke punuar në zgjerimin e kapaciteteve për pranimin e fëmijëve në kopshte. Ajo përmendi zgjerimin e kapaciteteve të kopshtit në Fshatin Besi.
“Në Besi, jemi duke punuar në një aneks, meqenëse çerdhja është hapur para një kohe. Mirëpo, meqë ka pasur interesim më të madh, është parë nevoja për t’u rregulluar edhe ky aneks, në mënyrë që të akomodohen sa më shumë fëmijë. Jemi duke punuar edhe në ndërtimin e çerdhes në Dardani, por do të shohim sa do të arrijmë t’i realizojmë, pasi ka ndikuar edhe pandemia”, tha ajo.
Komuna e Prishtinës, edhe këtë vit, ka vendosur që fëmijët e invalidëve të luftës, bonjakët, fëmijët me nevoja të veçanta dhe me asistencë sociale të jenë të liruar nga pagesa. Përveç kopshteve publike, në kryeqytet funksionojnë edhe një numër i konsiderueshëm i kopshteve private.























