Banorët e lagjes “Qendra” protestojnë kundër zhurmës së kafiterive
Sharr Travel

Banorët e lagjes “Qendra” protestojnë kundër zhurmës së kafiterive

Banorët e lagjes “Qendra” në Prishtinë, kanë protestuar kundër zhurmave të larta që u bëjnë kafiteritë në rrugën “Rexhep Luci”.

Shqetësim tjetër i këtyre banorëve mbetet edhe vendimi i Komunës së Prishtinës për ndërmarrjen “Prishtina Parking”, ku sipas rregullores së re, që kanë hyrë në fuqi çmimet e reja, banorët e qendrës çmimi mujor për shfrytëzimin e parkingjeve është 10 euro, kurse 100 euro pagesa vjetore.

Violeta Hasani përfaqësuese e banorëve, thotë se shqetësimet e banorëve janë ngritja e çmimeve për parking dhe zhurmat nga kafiteritë përskaj rrugës “Rexhep Luci” në qendër.

Madje, ajo thotë se nëse ky vendim nuk rishikohet, gjendja mund të eskalojë dhe të sjellë pasoja në njerëz.

“Shqetësimi më i madh i banorëve është çmimorja e parkingut që e ka vendosur komuna e Prishtinës. Ishte dashur që të njoftohen banorët për çdo vendim dhe të njoftohen në dëgjim publik. Sa kam parë unë disa banorë e disa biznese mund të viktimizohet dikush sepse nuk e lejojnë që të fillojnë punimet në këtë parking”.

“Mund të eskalojë gjendja sepse nuk po pranojnë assesi këta banorë. Unë kam pasur shumë presion që nga momenti kur Komuna e Prishtinës e ka vendosur konkursin për parking. Ne jemi në gjendje për të bërë zgjedhje por jo në këtë mënyrë, e cila duhet të jetë shumë transparente”.

“Po mos të ishte policia e Kosovës, të mërkurave e të shtunave s’ke pse të banosh këtu për shkak të zhurmave. Muzika live nuk ndalet tri ditë në jave në kohë pandemie, ku nga 200 persona mblidhen”, thotë ajo.

Ajo ka thënë se për këtë kanë dorëzuar edhe një peticion të nënshkruar nga 82 banorë të kësaj lagjeje, e që janë në pritje të përgjigjes nga Komuna e Prishtinës.

“Ne e kemi dorëzuar një peticion ku janë nënshkruar gjithsej 82 banorë dhe jemi duke pritur nga Komuna e Prishtinës. nuk pajtohen as bizneset me këtë çmim e as banorët sepse çmimorja është shumë e shtrenjtë. Për banor është 10 euro, për veturën e dytë është 45 euro, për biznes është 45 euro, për punëtorin e biznesit është 30 euro, ndërsa për ata që vijnë të pinë kafe është një euro ora, ku sipas banorëve më pak iu bëhet atyre që pinë kafe sesa banorëve”, thotë ajo.

Shqetësim për zhurma ka edhe banori Xhevat Shkodra, i cili thotë se po i mohohet e drejta për të banuar në këtë lagje.

Për Ekonomia Online, Shkodra thotë se zhurma e kafiterive vazhdon deri në orët e vona të natës.

“Është protesta e radhës, që nuk e di e sata më radhë për të njëjtin problem, që është problemi i zhurmës dhe humbjes së të drejtës së banorit për të qëndruar i qetë në banesën e tij, një e drejtë elementare”.