S’respektuan masat kundër Covidit, policia inicioi raste ndaj 30 personave
Sharr Travel

S’respektuan masat kundër Covidit, policia inicioi raste ndaj 30 personave

Nga 6 korriku kur qeveria e Kosovës mori vendimin në kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në katër komunat më të prekura me COVID-19, si masë parandaluese ndaj këtij virusi në rajonin e Prizrenit për mosrespektim të dispozitave shëndetësore janë iniciuar 20 raste ndaj 30 personave.

Këta persona nuk e respektuan kufizimin e lëvizjes nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Madje dy nga këta kanë qëndruar të arrestuat për 48 orë.

Kështu ka njoftuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

Ai tha po ashtu se në 24 orëshin e fundit një person mashkull nga Suhareka i cili ishte pozitiv me COVID-9, nuk e kishte respektuar masën e vetëizolimit prandaj ndaj tij është hapur lëndë.

Osmanollaj tha se në përgjithësi në rajonin e Prizrenit është një situatë relativisht e qetë dhe stabile dhe Policia e Kosovës nuk po has në parregullësi të shumta.

“Deri më tani nga data 5 kur janë marrë masat e reja aktualisht kemi 20 raste të proceduara penalisht pranë Prokurorisë në Prizren me gjithsej 30 persona. Nga këta gjithsej 30 persona kemi pasur vetëm dy persona të arrestuat apo ndaluar me ndalim policor prej 48 orësh për faktin se përveç mos respektimit të masave të qeverisë kanë rezultuar edhe më vepër penale tjetër. Gjatë 24 orëve kemi pasur një rast në komunën e Suharekës ku një qytetar i rezultuar me pozitiv me Covid nuk e ka respektuar masën e izolimit andaj Policia është detyruar të njoftojë prokurorinë dhe personi është proceduar në procedura të rregullt”, tha ai.

Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Prizren, Shaban Osmanollaj tha se aktualisht në këtë rajon është i infektuar me Covid-19 një zyrtar policor dhe dy policë të tjerë me një zyrtar të stafit civil janë në vetëizolim ndonëse rezultatet e tyre të testimit për Covid19 rezultuan negativ.

“Aktualisht e kemi një zyrtar policor pozitiv me COVID-19 i cili është duke u trajtuar në shtëpi, gjendja shëndetësore e tij është stabile nuk ka nevojë për panik apo shqetësim si dhe kemi edhe dy zyrtarë të tjerë në uniforma që janë në vetëizolim dhe një zyrtar të stafit civil. Kanë rezultuar negativ por janë të obliguar të qëndrojnë në bazë të rekomandimeve të IKSHP-së”, theksoi Osmanollaj.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit tha se gjendja në trafik është e qetë dhe në këta gjashtë muajt e parë të këtij viti ka rënie të aksidenteve më trafik por edhe veprave penale.