​Në Kamenicë do të hapet shkolla e muzikës

​Në Kamenicë do të hapet shkolla e muzikës

Në Kamenicë sot është mbajtur takimi i udhëheqësve të komunave të regjionit-lindje. Me këtë rast kryetari i Komunës së Kamenicës Qendron Kastrati dhe ai i Gjilanit Lutfi Haziri kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, ku nga shtatori dega e shkollës së muzikës do të jetë edhe në Kamenicë.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se sot u diskutua për menaxhimin e pandemisë dhe situatën në rajonin e Gjilanit.

"Diskutuam e para për menaxhimin e pandemisë dhe situatës në komunën tonë. Ne do të vazhdojmë të nënshkruajmë me kryetarin e komunës së Gjilanit një marrëveshje ku shkolla e muzikës do të hapet në Kamenicë me ndihmën e komunës së Gjilanit. Kjo është ajo që na duhet gjatë një kohë pandemie ku të gjithë duhet të jemi së bashku dhe ta ndihmojmë njëri- tjetrin", tha ai.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se bashkërisht Gjilani dhe Kamenica janë duke bashkëpunuar gjatë tërë kohës, pasi që sipas tij problemet janë të njëjta ani pse në territore të ndara.

"Koordinimi jonë për bashkëpunim komunal, në zgjidhjen e problemeve për arsim dhe bashkëpunimi ynë në segmentin e infrastrukturës, rregullimi i kufijve administrativë në mes të komunave, çështja e problemeve lokale dhe ekonomike, së fundi ne e kemi një treg të përbashkët për ekonominë private në komunën tonë. Dhe ka edhe shumë çështje tjera për të cilat e ndihmojmë komunën tonë dhe njëri-tjetrin... Ne i kemi problemet e njëjta në territore të ndara në aktivitete dhe detyra. Por problemet i kemi të njëjta, duke filluar prej buxhetit e deri tek investimet të buxhetit për çështje të caktuara me të cilat duhet të përballemi çdo ditë", ka thënë Haziri.

Për këtë bashkëpunim kanë qenë falënderues edhe kryetar i Ranillugut, Vladica Artinoviq dhe ai i Novobërdës, Vetislav Ivanoviq.

"Në këtë takim biseduam për masat për të cilat qeveria i ka udhëzuar që të shkëmbejmë përvojat pasi që kjo pandemi qe sa kohë është duke e atakuar në përgjithësi vendin tonë", ka thënë ai.