Me masa të veçanta fillon mësimi edhe në shkollën “Pavarësia”
Në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, ka filluar mësimi edhe në shkollën “Pavarësia” të kryeqytetit.
Nxënësit e klasës së tretë të shkollës “Pavarësia”, që po hynin në shkollë për të filluar mësimin, pas një kohe të gjatë pauze të imponuar nga shpërthimi i pandemisë, u matej temperatura nga personeli i shkollës.
Mësimi me një orar të paracaktuar, për çdo klasë të ndarë në dy grupe, ka filluar sot në orën 7:30. Në shkollën “Pavarësia”, ku vijojnë mësimin 1500 nxënës, sot fillojnë betejën për dituri klasat 1-5 dhe një grup i klasës së gjashtë, klasat e tjera do të fillojnë mësimin më 21 shtator.
Drejtori i shkollës “Pavarësia”, Shefki Rusinovci, deklaroi për RTKLive se janë ndërmarrë të gjitha masat për fillim të mbarë të procesit mësimor në shkollën që e udhëheq, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit.
Në çdo bankë ishte ulur nga një nxënës, duke ruajtur distancën me nxënësin tjetër. Kompleti i librave mësimorë, që jepet falas nga Ministria e Arsimit, tashmë ishte vendosur në bankë për secilin nxënës.
Shenjat për mbajtjen e distancës dhe posterë me udhëzimet për masat mbrojtëse ishin vendosur gjithandej mjediseve të shkollës.
Në shkollën “Pavarësia”, sivjet e fillojnë mësimin për herë të parë gjashtë paralele me rreth 180 nxënës./RTKlive
























