Hyundai lanson modelin Ioniq 5

Hyundai lanson modelin Ioniq 5

Hyundai ka shpalosur veturën e parë tërësisht elektrike nën brendin Ioniq. Me dizajn të veçantë që paralajmëron elektrifikimin e brendit korean, Ioniq 5 ka potencial që të mbushë baterinë nga 10 në 80 për qind për vetëm 18 minuta.

Vetura e re vjen me dy versione të baterisë, 72.6 dhe 58kWh. Modeli ka mundësinë e ngasjes me rrotat e pasme, apo me të gjitha. Distanca maksimale që mund të kalojë me një mbushje të baterisë është 470 kilometra.

Versioni më i fuqishëm është ai me 302 kuajfuqi që përshpejtimin prej 0 në 100 kilometra për orë e arrin për 5.2 sekonda. Versioni më i ngadalshëm është ai me 167 kuajfuqi që përshpejtimin në fjalë e arrin për 8.5 sekonda.

Me gjatësinë prej 4 metrash dhe lartësinë 1.6 metrash, vetura duket se synon të prekë të gjithë rivalët nga pak. Ajo dallon edhe për nga hapësira e madhe që ka brenda.

Çmimet e Ioniq 5 ende s’janë bërë të ditura, por ato pritet të shpalosen kur të dalë vetura në treg gjatë verës.