Kurti e quan buxhetin e vitit 2025, buxhet për familjen|Video
BKT
Auto

Kurti e quan buxhetin e vitit 2025, buxhet për familjen|Video

V.S|RTKlive

(E plotësuar, ora 11:45) Kryeministri Albin Kurit ka bërë prezantimin e Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025. Në  fillim ai ka thënë se është kryeministri i parë që prezanton buxhetin e katërt të mandatit për ta shënuar kështu qeverinë e parë që e qon mandatin deri në fund.

Gjatë fjalës së tij kryeministri foli për goditjen nga pandemia e nga shumë kriza të tjera sic ishte edhe ajo energjetike që goditi Evropën e që tha se nuk kishte se si të shpëtonte as Kosova, derisa tregoi për mbështetjen që Qeveria ka dhënë për familjet që të ulej konsumi i energjisë elektrike e kjo tha se po vazhdon edhe sot.

“Subvencionuam për të blerë pajisje efiçiente që faturat të peshonin sa më pak në arkën e familjes e mbështetem familje që kursyen energjinë. Ata që kursyen u shpërblyen. Kosova vazhdon të ketë çmimin më të lirë të energjisë elektrike në rajon sipas EUROSTAT-it dhe kjo është karakteristikë e rëndësishme për investimet e huaja në Kosovë”, tha kreu qeveritar.

Pjesë e fjalimit të tij ishin edhe çrregullimet e çmimeve mbi produktet bazë që tha se erdhën si pasojë e agresionit të Rusisë në Ukrainë. Tregoi se ndërmorën masat e nevojshme që miratuan pakon për përballje me inflacionin ku u mbështetën punëtorët e sektorit publik e privat, pensionistët  e studentët.

“Si pjesë e pakos miratuam edhe Ligjin për Pagën Minimale në sektorin privat e ligjin për çmimin tavan për ta ndaluar abuzimin nga tregtarët e papërgjegjshëm. Që të dy ligjet opozitarët i bllokuan duke i dërguar në kushtetuese, eventualisht gjykata që më shpesh bën bilanc politik sesa që bën drejtësi një ligj na rrëzoi atë për çmimet tavan kurse tjetrën e miratoj atë për pagën minimale. Dëm gjithsesi për të parin sepse nuk hyri kur në fuqi kurse për të dytin sepse u njoftua rreth një vit zbatimi i tij”, tha Kurti.

Sipas tij gjatë katër viteve numri i të punësuarve u rrit në mënyrë konsistente, çka tha se nuk ka ndodhur në asnjë ekzekutiv para tyre.

“Prandaj jemi qeveria me numrin më të madh të vendeve të punës të shtuara brenda mandatit që aktualisht ende pa e përfunduar po arrin në 78 mijë vende punë më shumë se sa kur e kemi marr mandatin katër vjet më parë”, tha ai.

Kryeministri tha se për katër vite me radhë rritja ekonomike mesatare ishte 6 për qind e asnjë vit të vetëm nuk ka rënë nën 4 për qind.

“Ani se u ballafaquam me kriza globale që ndodhin madje edhe vetëm një herë në shekull. Për katër vite me radhë rritëm të hyrat buxhetore e tani me buxhetin e vitit 2025 i dyfishuam në krahasim me të hyrat buxhetore që i gjetëm kur morëm mandatin, të hyrat buxhetore ashtu si edhe vitin e mëparshëm vazhduan performancën e tyre të kënaqshme dhe gjatë periudhës janar-shtator 2024 kanë shënuar rritje të konsiderueshme prej më shumë se 7.1 për qind apo rritje me rreth 150 milion euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e punësimit, rritja e qëndrueshme e ekonomisë edhe përballë sfidave të rënda e rritja e të hyrave na ka mundësuar ta kemi këtë buxhet historik prej 3.6 miliard euro”.

Kurti e quajti buxhetin e vitit 2025 buxhet për familjen sepse tha se secila familje do të përfitojë.

“Në një familje të re që ka tre fëmijë nëna lehonë fiton për 6 muaj nga 170 euro apo 1020 euro gjithsej, ndërkaq për fëmijët i marrin nga 90 euro në muaj apo 1080 euro në vit, asnjë qeveri nuk ka mbështetur nënat e fëmijët", vazhdoi ai, duke përmendur ndihmat e lehtësuar që kanë bërë edhe për studentët, familjet e dëshmorëve të në kategori të tjera.

 “Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme afatmesme 2025 -2027 pritet të vijë nga konsumi investime publike e privati. Konsumi do të rritet nga 4 lloj rritje. Rritja e pensioneve në masën prej 20 për qind në të gjitha kategoritë e pensionit të moshës dhe pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, rritja për shtesat e fëmijëve, rritja e koeficientit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik si dhe rritja e pagës minimale që ndodhë pas më shumë se pas një dekadë stagnimi. Në këtë buxhet e kemi prioritet arsimin e shëndetësinë, por edhe infrastrukturën e mbrojtjen”, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti ka theksuar se buxheti për vitin 2025 është projektuar të jetë 3.6 miliard euro.

“Për të arritur deri këtu këto 4 vite kaluam nëpër shumë sfida globale e të brendshme, por për dallim nga të tjerat para nesh u siguruam që buxheti të orientohej aty ku kthimi ishte më i larti te qytetarët tanë. Duke e bërë këtë, vit pas viti rritej edhe buxheti pa ndryshuar asnjë politikë tatimore. Sepse investimi në qytetarët tanë vazhdonte të kthente rritje të qëndrueshme. Buxheti i vitit 2025 është buxheti i katërt që po e prezantojmë si qeveri në këtë mandat. Miratimi në qeveri e prezantimin e buxhetit në kuvend çdo herë e kemi bërë sipas rregullave të përcaktuara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Buxheti për paga e shtesa: 13.85 për qind më i lartë se në vitin 2024 ose 111. 5 milion euro, buxheti për mallra dhe shërbime është 3.2 për qind më i lartë s enjë vit më parë, buxheti për subvnencione e transfere është 8. 75 për qind më i lartë s enë vitin 2024 e këtu luajnë rol masat e reja si pensionet shtesat për fëmijë rimëkëmbja ekonomike e të tjera dhe buxheti për investime kapitale ëhstë 8. 3 për qind më i lartë se në vitin 2024. Për këto vite të qeverisjes bruto produkti vendor është rritur aq sa për herë të parë sivjet do ta kalojë shifrën prej 10 miliard euro kurse vitin e ardhshëm pritet të shkojë përtej 11 miliard euro”, ka theksuar Kurti.

Muja: Buxheti i ka 4 orientime kryesore

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, foli si kryetar i Komisionit për Buxhet e në emër të Lëvizjes Vetëvendosje si parti në pushtet.  Ai ka deklaruar se prioritete të rëndësishme pritet të janë autostradat Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjilan dhe Prizren-Tetovë.

Ai ka thënë se 100 milionë euro janë paraparë për barna esenciale, 145 milionë euro për fëmijë dhe lehona, 100 milionë për kulturë e sport.

Muja ka shtuar se për herë të parë, buxheti për Ministrinë e Drejtësisë dhe të gjithë sektorët pritet të jetë 120 milionë euro, 200 milionë euro për mbrojtje e 230 milionë euro për ministrinë e Punëvë të Brendshme.

Muja ka thënë se buxheti i ka 4 orientime kryesore. “E para zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, e dyta zhvillimi barabartë njerëzor, e treta është sigurta e sundimi i ligjit e në fund qeverisja e mirë. Këto janë katër prioritete që ky buxhet i trajton në themel”, ka deklaruar Muja.

PDK-ja nuk e voton buxhetin, Lushtaku: Është një planifikim i keq

Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ka thënë se buxhetit të propozuar nga qeveria “nuk do t’ia sheh hajrin as populli as Kosova”. Ai ka thënë se ky është një planifikim i keq të cilin, sipas tij PDK-ja nuk do ta votojë.

“Sot para se të flas për planifikim buxhetor dua të ju them juve që po ju kalojnë katër vite, as edhe një projekt madhor i rëndësishme nuk mbahet mend për këtë kohë që ju udhëhiqeni e që së paku qytetaret të ndiheshin krenar. Humbja më e madhe po u bëhet bizneseve, financave, diplomacisë por më së shumit po i bëhet Kosovës. Ky është një planifikim buxhetor i cili nuk ndikon as gjë, një planifikim i cili ky shtet dhe ky popull nuk i sheh kurrfarë hajri. E kemi parë që çdo planifikim i kësaj qeveri ka qenë i dobët. Buxheti i shtetit nuk është hajgare, nëse nuk hartohet siç duhet do ta përkeqësoj gjendje deri në ekstre ashtu siç pritet edhe të ndodh. Tash e katër vite kemi buxhet të mbijetesës dhe aspak zhvillimor. Në këtë projektligj parashihet se do të ketë rritje të buxhetit të shtetit, por duhet të theksojmë që çdo vit ka pasur rritje ekonomike këto 10 vitet e fundit. Qytetarit i jepet lëmosh për të”, ka theksuar Lushtaku.

Sipas tij, 32 për qind e buxhetit do të shpenzohet për shkatërrim të bizneseve prodhuese.

“Vetëm 7.33 për qind janë projekte të reja që parasheh qeveria. Qeveria nuk ka vizion zhvillimor. Ne nuk do të votojmë këtë projektligj të Kosovës. Ky buxhet dhe planifikim i keq nuk do të zgjasë shumë, vetëm disa muaj, sepse pas 9 shkurti do të vije një qeveri e re”, ka thënë ai.

Hoti: Realizimi i investimeve kapitale si përqindje e buxhetit ka rënë në rreth 10 për qind

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti  projekt-buxhetin e quajti si dokument të përkohshëm duke thënë se një tjetër projekt do ta bëjë qeveria e ardhshme. Ai ka thënë se analiza e këtij dokumenti duhet të bëhet në kontekst të premtimeve gjatë mandatit 4 vjeçar, e jo vetëm si shifra për buxhetin e vitit 2025. Duke përmendur premtimet e Vetëvendosjes që tha se gjatë fjalës së tij nuk i përmendi kryeministri.

“Në arsim 160 çerdhe, shujta për nxënës, digjitalizime shkollave, biblioteka për mësimdhënës, banim i përballueshëm për mësimdhënës, shpërblim i mësimdhënësve bazuar në performancë asnjë nuk u realizua. Në shëndetësi: sigurimet shëndetësore dhe sistemi informativ, asnjëri nga këto dy projekte madhore nuk është realizuar. Banim social me kushte të përballueshme, tek tash është miratuar një marrëveshje. Tek privatizimi: rishikim i privatizimeve, mbyllja e AKP-së dhe kthimi i saj në agjenci brenda qeverisë. Fondi sovran e banka zhvillimore dhe asnjëra nuk janë as në rrugë për tu realizuar. Në bujqësi: çmime referente , sigurim të prodhimit Bujqësor, kredi bujqësore me kushte të volitshme, caktim i çmimit minimal i produkteve bujqësore nën të cilin shteti i blen produktet bujqësore për rezerva shtetërore. Në infrastrukturë: Aeroporti i Gjakovës, rruga për Plavë, për Tetovë, hekurudha për Durrës. Le ta analizojmë tani performancën në kontekst të këtyre premtimeve”, ka thënë ai.

Hoti ka theksuar se realizimi i investimeve kapitale si përqindje e buxhetit ka rënë në rreth 10 për qind nga 18 për qind sa ka qenë më herët.

“Në qeverinë Mustafa realizimi i investimeve kapitale si përqindje e buxhetit në realizim ka qenë 19 për qind, në qeverinë Haradinaj 18 për qind. Gjatë kohës së pandemisë 9.7 për qind sepse ka qenë pandemi ndërsa në këtë qeveri në 4 vite ka rënë në 10 për qind”, ka deklaruar ai.

Tahiri: Qeveria nuk ka bërë asnjë projekt që do të mbahet mend

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se qeveria Kurti është më e dështuar në Kosovë. Ai ka theksuar se kjo qeveri për mandatin katër vjeçar ka pasur në dispozicion 12 miliard euro, por që nuk ka bërë asnjë projekt që do të mbahet mend për këto vite.

“Qeveria për katër vite ka pasur 12 miliard euro buxhet, në këto 12 miliard euro a ka ndonjë projekt që është nisur dhe është përfunduar, përveç urës së Saradranit. Është ky kabinet qe ka dhënë premtim që do t’i rris pensionet, sa i ka rritur 20 euro. Po është rrit ekonomia, 240 milion euro ja keni dhënë dostave të juaj përmes tenderëve një burimor...Ky jo që është ‘Superpuna’, por është superdështim. Punësimi është rritur, por jo në Kosovë. Është rritur në diasporë”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri, ka deklaruar se ministri i Financave, Hekuran Murati, duhet të tregojë pse 80.000 njerëzve nuk ua ka rritur koeficientin e pagave, duke u shprehur se në të kaluarën partia aktuale në pushtet kishte premtuar rritje të pagave e pensioneve.

Shefi i GP të AAK-së ka kërkuar nga Qeveria që t’i përmendë pesë persona që janë kthyer nga diaspora në Kosovë.

Murati thotë se për 4 vjet ka rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore, reagojnë opozitarët 

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka theksuar se është synim i qeverisë të ulet importi, kjo si kritikë që iu dha nga deputetët opozitar gjatë diskutimeve në Kuvend.

Murati ka thënë se për herë të parë kanë bërë mbështetjen e prodhuesve vendor duke subvencionuar kreditë investuese e kanë marr masa mbështetëse përmes ministrive të linjës. Ai ka deklaruar se nuk mund të rikuperohen dëmet e shkaktuara nga qeveritë e shkuara përgjatë 20 viteve.

“Nuk mund të ulet importi në një ekonomi që e kemi trashëguar ku të gjitha fabrikat prodhuese ju i keni shitur për skrap. Natyrisht që merr kohë derisa të rindërtohet kapaciteti prodhues në mënyrë që të ulet importi. Deri atëherë ne do të vazhdojmë të punojmë, por diçka që është shkatërruar për 20 vite nuk mund të rikuperohet përgjatë një mandati”, ka thënë ai.

Sipas tij, eksporti kur kanë marr qeverisjen ka qenë 474 milion derisa sivjet pritet të shkojë në 950 milion. Ai ka folur edhe për taksat që mblidhen ne Doganë e atyre nga ATK-ja.

“Theksoj që kur kemi marr mandatin proporcioni i taksave të mbledhura nga ATK-ja në raport me taksat në kufi ka qenë 44 për qind. Brenda janë mbledhur më pak sesa gjysma e taksave që ka mbledhur Dogana. Teksa po flasim, ky proporcion ka shënuar rritje është 57 për qind, ka rritje të theksuar mbi 13 për qind që mblidhen brenda më shumë se që janë mbledhur më herët”, ka thënë ai.

Duke iu kundërpërgjigjur deputetëve se nuk ka pasur rritje të të hyrave, Murati tha se në qeverisjen e tyre për 4 vite ka rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore.

“Në vitin 2021 kishte 27 për qind rritje krahasuar me vitin paraprak. Në vitin 2022 rritja ishte 14 për qind në krahasim me vitin paraprak, në vitin 2023 ishte 14 për qind rritje e në 2024 deri më tani është 10 për qind krahasuar me vitin paraprak. Katër vite radhazi rritje dyshifrore pa e prekur asnjë politike fiskale”, ka theksuare ai.

Ministri ka thënë se nëse shikohet dekada kur në qeverisje kishte qeveri të tjera janë vetëm dy raste kur kishte nivel dyshifror në 2011-n kur rritën, sipas tij, akcizën në naftë dhe në 2016-n kur qeveria rriti TVSH-në. Kur foli pë kritikat për Fondin Sovran tha se dihet që është në Gjykatë kushtetuese që e ka dërguar opozita.

“Ju vetë e keni dërguar e keni bllokuar në Kushtetuese e dilni këtu thoni nuk e keni bërë Fondin Sovran. Ne e kemi bërë ligjin, por ju po qitni zall në rrota, ju po e bllokoni”, u tha deputetëve ai. “Vetëm një ish-kryeministër që nuk ka bërë asgjë mund ta quaj se ndikimi është zero kur flitet për shtesat e fëmijëve”, ka deklaruar Murati.

Pas fjalimit të ministrit kishte replika të shumta nga deputetët opozitar nga PDK-ja LDK-ja e AAK-ja.

Mërgim Lushtaku e quajti zhgënjyese për siç tha ai ministri mundohet t’i arsyetojë dështimet. “Sigurisht që çdo ekspert i ekonomisë e sheh këtë debat e sigurisht që përqeshë argumentet tuaja”, i ka thënë Lushtaku, Muratit.

“Më e rëndësishme për çdo qytetar është si implementohet buxheti e dëshminë më të madhe e kanë qytetarët q ëpo vuajnë pasojat e mos implementimit të buxhetit. Kemi tre të rinj që kanë vdekur si pasojë e mos implementimit të projekteve të investimeve kapitale, mos-sinjalizimit të rrugëve që ka punime, është e turpshme. Duhet të ju vijë marre”, ka thënë Lushtaku.

Sipas tij, është e vërtetë që ka import të madh dhe si Kuvend i Kosovës e mbikëqyrim edhe pjesën ekonomike,

“Deri dje keni rrotulluar edhe kamioni, i keni hapur prapë dyert me Serbinë. Tash shihet qartë sa importohen mallra serbe. E keni bërë për pazare politike dhe ju po tregoni për parimet tuaja. Është e turpshme si keni bërë edhe kontratat një burimore”, ka theksuar Lushtaku.

Ndërkohë ish-kryeministri Hoti në replikën e tij ka thënë se Murati debaton me fanatizëm nuk është i interesuar për të vërtetat.

“Vazhdon me atë propagandën e poshtër, të ulët, me sa fytyrë del në foltore e i thua njerëzve që është shkatërruar Kosova që 20 vite”, ka thënë Hoti, të cilit kryekuvendari i tërhoqi vërejtjen që të ketë kujdes me fjalorin e të kenë respekt për njëri-tjetrin.

Ndërkaq Tahiri i AAK-së ka thënë se rritja e të hyrave në buxhet ka ardhur si shkak i rritjes së çmimeve.

Ministri Murati duke iu kundërpërgjigjur deputetëve e quajti të pavërtetë rritjen e importit nga Serbia.

 “Është e pavërtetë që importi po rritet. Në kohën sa ka qenë PDK-ja bashkë me LDK-në top 5 shtetet nga ku ka importuar Kosova janë. Vendi i parë ka qenë Serbia me 450 milion, i dyti Gjermania me 378 milion, i treti Turqia me 292 milion, Kina me 275 milion e Italia me 194 milion. Kjo është lista e top 5 vendeve kur ju keni qeverisur”, ka thënë Murati.

Ndërkohë ka nxjerrë listë e pesë vendeve që ka importuar Kosova gjatë vitit të kaluar.

“Top 1 ishte Turqia, e dyta Gjermania, në të tretin Kina, e katërta Greqia e pesta Shqipëria. As në Top 5 nuk e kemi Serbinë nga vendi i parë, as në top 5-she nuk është”, ka thënë ai.

Me propozim të Abelard Tahirit të PDK-së në pajtim edhe me shefat e Grupeve Parlamentare në fillim të seancës u nderua me një minutë heshtje veterani i UÇK-së që ishte pjesëtar i FSK-së, Liman Musliu që humbi jetën tragjikisht.

Buxheti për vitit 2025, ka vlerën prej 3.6 miliardë eurove.

Projektligji për ndarjet buxhetore për vitit 2025, të propozuar e miratuar nga Qeveria në vlerë prej 3.6 miliardë eurove.

Sipas planifikimeve të ekzekutivit nga buxheti i vitit të ardhshëm 930 milionë euro janë planifikuar për investime kapitale.

Projeksionet e Qeverisë flasin për implementim të projekteve të cilat do të ndikojnë në përmirësim të rrjetit të transportit, energjisë elektrike, kushteve në arsim e shëndetësi, një pjesë e madhe e projekteve dhe mjeteve do të jetë e bartur nga ky vit.

916.5 milionë euro nga buxheti janë paraparë për paga e shtesa si dhe 535.97 milionë për mallra dhe shërbime.

Vetëm për pagat e anëtarëve të Kuvendit të Kosovës janë paraparë mbi 3.6 milionë euro, pagat për zyrën e presidentët mbi 1 milionë euro si dhe për kabinetin e kryeministrit Kurti mbi 1 milionë.

Buxheti për nivelin qendror pritet të jetë mbi 2 miliardë e 757 milionë euro, ndërsa për atë lokal rreth 788 milionë  euro.

Qindra miliona euro janë paraparë edhe për institucionet shëndetësore. Shpenzimet e spitaleve rajonale gjatë 2025-tës kapin vlerën e mbi 54 milionë eurove, këtu përfshihen edhe të hyrat vetanake të tyre si dhe grantet qeveritare.

Për QKUK-në janë paraparë mbi 10 milionë euro, ndërsa për Shërbimet terciare mjekësore, mbi 3 milionë.

Miliona euro janë paraparë edhe për arsim. Mbi 366 mijë euro do të shpenzohen vetëm për trajnimin e mësuesve, ndërsa mbi 452 mijë për arsim profesional. 200 mijë euro do të ndahen për përkrahjen e nxënësve me potencial të jashtëzakonshëm.

Për Minierat e Trepçës shpenzimet me buxhetin e vitit 2025 kapin vlerën e 3 milionë eurove. Ndërsa 7.5 milionë euro janë ndarë për kategorinë e rezervës rrjedhëse.

Qeveria parashikon se rritja ekonomike sivjet do të jetë 4.5 % ndërsa, vitin e ardhshëm, është planifikuar të jetë 5.6%

Partitë opozitare PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë projektbuxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm. Por, pozita është e bindur se i ka votat për ta miratuar buxhetin. Buxheti për vitin 2025 do të jetë 3.6 miliardë euro, apo rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti i vitit 2024.