Begaj për vdekjen e Kadaresë: Shqiptarët humbën gjeniun e tyre
BKT
Auto

Begaj për vdekjen e Kadaresë: Shqiptarët humbën gjeniun e tyre

B. H. | RTKlive

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Ai ka thënë se sot shqiptarët humbën gjeniun dhe emancipuesin e tyre shpirtëror.

“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.

Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”, ka shkruar Begaj në Facebook.

Kadare vdiq sot në mëngjes në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, në moshën 88-vjeçare.

Nikolla: Kadare ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërsisë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare, ka thënë se me veprat e tij Kadare ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërsisë.

Ajo shtoi se me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohëve, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe.

“Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”, ka shkruar Nikolla.