KQZ-ja çregjistron dy parti politike

KQZ-ja çregjistron dy parti politike

Drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, Yll Buleshkaj, në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ka njoftuar se 31 marsi ka qenë koha e fundit për dorëzimin e raporteve financiare për shpenzimet në fushatën zgjedhore të 14 shkurtit dhe për dorëzimin e formularit për vazhdimin e regjistrimit të partive politike.

Ai ka thënë se nga 28 subjekte politike, 27 e kanë dërguar raportin, ndërsa vetëm Srpski Demokratski Savez, nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Ndërsa sa i përket formularit për vazhdimin e regjistrimit të partive politike, ai ka thënë se kanë dështuar dy nga to që t’i dorëzojnë ato.

“Nga 46 parti të cilat kanë qenë të obliguara ta sjellin formularin, kanë dështuar dy ta sjellin atë. Ndërsa, dy të tjera nuk kanë qenë të obliguara, për shkak që janë regjistruar këtë vit. Dy që kanë dështuar të sjellin formularin janë Partia Demokratike e Diasporës dhe Alternativa Demokratike e Kosovë”, ka thënë Buleshkaj.