Opozita shpreh pakënaqësi për masat e reja kufizuese

Opozita shpreh pakënaqësi për masat e reja kufizuese

Masat e reja kundër Covidit kanë filluar të zbatohen të mërkurën. Për dy javët e ardhshme masat përfshijnë kufizimin e shërbimeve të gastronomisë dhe ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00, përveç në raste urgjente.

Policia e Kosovës, duke iu referuar vendimeve të institucioneve dhe planifikimeve operacionale policore, ka dalë në terren në të gjitha komunat për të parë se sa po respektohen masat e reja kundër Covidit.

“Planifikimet operacionale kanë për qëllim bashkëpunimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetente për luftimin dhe parandalimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat e këtij lloji në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë. Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë, duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës është duke realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa”, ka njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka apeluar te qytetarët që t’u përmbahen rregullave dhe t’i respektojnë masat kundër Covidit, ta mbajnë distancën, të vendosin maskën dhe t’i pastrojnë duart.

Masat e reja kufizuese janë kritikuar nga opozita dhe bizneset që janë prekur nga ky vendim i masave të reja. Subjektet opozitare e kanë ftuar kryeministrin Kurti që ta bëjë prioritet sigurimin e vaksinës.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se nuk është dashur të refuzohet vaksina kineze që Shqipëria ia ofroi Kosovës për mësimdhënësit. “Para se ta refuzonte gjenerozitetin e qeverisë shqiptare për vaksinimin e mësuesve, Qeveria e Kosovës do të duhej të zhvillonte një debat transparent dhe pa ngarkesa politike me profesionistët shëndetësorë, në mënyrë që edhe qytetarët të kenë një pasqyrë të qartë. Po ashtu, mbetet e pakuptimtë mungesa e një mendimi profesionist nga IKShPK-ja mbi refuzimin e vaksinimit të mësuesve me dozat e ofruara nga shteti shqiptar”, ka shkruar ajo në profilin e vet në “Facebook”.

Sipas saj, përpjekja për t’u treguar parimor mbi kurriz të tjetrit është hipokrizi! “Në vend të vendimit arbitrar të mbështetur mbi interesa partiake, qeveria duhet të iniciojë një konsultim të hapur me profesionistët shëndetësorë vendorë dhe ata të Shqipërisë, për të konkluduar një vendim të arsyeshëm dhe, mbi të gjitha, në interes të shëndetit të përgjithshëm publik. Qeveria nuk ka nevojë të ndihet e ngarkuar nga perceptimet për prejardhjen e vaksinave, por t’u besojë rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë dhe t’u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Pa një diskutim profesional dhe publik me të gjithë aktorët kompetentë, vendimi mbetet i diskutueshëm”, ka shkruar Deliu Kodra, duke shtuar se vaksinimi i popullatës dhe hapja duhet të jenë prioritet i qeverisë e jo mbyllja dhe izolimi përbrenda dhe nga jashtë.

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbyllja nuk është zgjidhje. Në një konferencë për media, ai ka thënë se qeveria duhet të angazhohet për sigurim të vaksinave kundër Covidit.

“Mbyllja e ekonomisë është fshehje pas përgjegjësisë që ka ndodhur tash. Pra, mbyllja e bizneseve, e ekonomisë, e shkollave është një fshehje. Kjo qeveri nuk e mban përgjegjësinë pse s’ka vaksina ende. Nuk e fajësojmë pse nuk janë vaksinat, por tani pas ardhjes në përgjegjësi është mirë ta përshpejtojnë procesin e sigurimit të vaksinave për Kosovën”, ka deklaruar ai.

Haradinaj i ka propozuar kryeministrit Kurti që të kërkojë ndihmën e ShBA-së për vaksinat. “Se a duhet që mjekët dhe mësuesit të shkojnë për vaksinim në Shqipëri, nuk kam opinion një herë. Ne duhet t’ua sigurojmë vaksinat në Kosovë. Unë nuk e marrë vaksinën. Kam qenë në Shqipëri dhe më kanë lutur që ta marr, por kam thënë jo”, është shprehur Haradinaj.

Kurse ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se menaxhimi i pandemisë me hapje të kontrolluar të jetës sociale dhe ekonomike, kërkon bashkërendim të aktiviteteve të përbashkëta me të gjithë aktorëve ligjorë.

“Praktika e sprovuar para një viti, e izolimit të qeverisë 50-ditëshe të Kurtit, kur shëndetësia vetëm jepte raporte, me mundësi të kufizuara testimi, pak shtretër, pak respiratorë, me pak mjete dhe pajisje mbrojtëse, me resurse humane të limituara, dhe mungesës së gjithëpërfshirjes për frontin e përbashkët, sot është e pabesueshme që të aplikohet e njëjta metodë. Vendimmarrja për izolim, qoftë edhe të pjesshëm, pa strategji të vlerësimit dhe harmonizimit të gjithëmbarshëm, do ta thellojë përkeqësimin e gjendjes”, ka vlerësuar Zemaj.

Sipas vendimit të qeverisës për masat e reja kufizuese, shërbimet e gastronomisë obligohen ta pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri më 18 prill.

Ato lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat. Po ashtu, ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më 18 prill.

Në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri më 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (7 prill deri me datë 18 prill), obligohen që t’i organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore.

Me masat e reja ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona (mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasmat, ahengjet familjare, homazhet e të ngjashme). Masat e reja janë kundërshtuar nga përfaqësues të bizneseve dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka regjistruar të mërkurën edhe 14 viktima si pasojë e infektimit me Covid-19. IKShPK-ja ka treguar se në 24 orët e fundit janë regjistruar 685 raste të reja të infektimit me Covid. Prej 13 marsit të vitit të kaluar, kur janë raportuar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 95 341 të infektuar./Epoka e re/


MË SHUME NGA Nacionale