Mbahet mbledhje komemorative për anesteziologun Hajrullah Saraçi

Mbahet mbledhje komemorative për anesteziologun Hajrullah Saraçi

Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), është mbajtur mbledhje komemorative për anesteziologut dhe u.d. drejtorit të Spitalit të Vushtrrisë, Hajrullah Saraçi, i cili ndërroi jetë një ditë më parë.

Miq, kolegë, bashkëpunëtorë dhe familjarë kanë evokuar kujtime nga puna, jeta dhe veprimtaria e tij, duke e vlerësuar lartë figurën e tij prej një humanisti dhe profesionisti të dalluar.

Valbon Krasniqi, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së tha se Saraçi do të kujtohet si një profesionist i mirë, njeri human dhe menaxher i mirë.

“ Edhe pse e njoha për kohë të shkurtër, ishte mjaftueshëm për të vlerësuar punën e tij si menaxher i mirë për avancim të shërbimeve shëndetësore”, u shpreh ai.

Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv tha se Saraçi ishte anesteziolog shembull dhe student i dalluar.  “Ishte njeri me vlera të larta njerëzore e profesionale, që do të shërbejë si referencë për anesteziologët dhe anesteziologjinë”.

Në emër të Asociacionit të Anesteziologëve, foli Lulzim Emini, i cili evokoi kujtime nga fillimet e specializimit të dr. Saraçit, duke e përmendur edhe kohën që dr. Saraçi kishte kaluar në spitalet e Gjermanisë dhe eksperiencën që kishte sjellë në Kosovë.

Në emër të familjes, të pranishmit i falënderoi vëllai i të ndjerit, i cili tha dr. Hajrullahu ishte gjithmonë i angazhuar për zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore, fillimisht në QKUK, e sidomos në krijimin dhe zhvillimin e mëtejmë të Spitalit të Vushtrrisë.

Varrimi i Hajrullah  Saraçi, do të bëhet sot, në fshatin e tij të lindjes, në Bivolak të Komunës së Vushtrrisë. /Telegrafi/