Nisin gërmimet në varrezat e myslimanëve në Mitrovicën Veriore
Sipas autoriteteve në Kosovë ende vazhdojnë të rezultojnë të pagjetur mbi 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.
Në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës kanë filluar gërmimet për trupa të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, thotë Ibrahim Makolli, koordinatori i delegacionit të Kosovës për persona të pagjetur.
“Po me urdhër të prokurorit po bëhen gërmime për me pa për dyshimet që ekzistojnë, sepse një numër i viktimave janë varrosur në varreza normale”, tha Makolli për Albanian Post.
Makolli në muajin shkurt pat deklaruar se me përmirësimin e motit do të rifillojnë gërmimet në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë, ku dyshohet se janë varrosur trupat e shqiptarëve të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.
Lokacioni ku dyshohet se janë fshehur trupat e njerëzve të vrarë është konservuar, andaj Makolli beson se vendi nuk do të dëmtohet deri në rifillimin e gërmimeve.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 rezultuan rreth 6 mijë e 500 persona të zhdukur.
Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri me tani janë gjetur rreth 70 përqind e të zhdukurve.
Sipas autoriteteve në Kosovë ende vazhdojnë të rezultojnë të pagjetur mbi 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.























