Dr. Dollenberg: Ndiesi e mirë në ndihmën e dhënë mjekësisë së atdheut
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK, ku mysafire ishte dr. Aurora Dollenberg, foli për aktivitetin e mjekëve shqiptarë në vendet e BE-së, veçmas gjatë periudhës së pandemisë e që pikërisht sot mbahet Kongresi i 9 i Mjekëvëve Shqiptarë, të cilët jetojnë e veprojnë në vendet e BE-së.
Fillimisht ajo shprehu kënaqësinë që pas një viti me angazhime të mëdha në luftë kundrejt pandemisë, ku nuk qe e mundur të zhvillojnë aktivitete në mënyrë më të përafërt, por përmes mjeteve të sofistikuara teknologjike.
“Përmes mjeteve teknologjike kemi arritur që të kontribuojmë në ndihmën e dhënë mjekëve si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, në luftën e kundrejt pandemisë, përmes pëvojave tona në vendet e BE-së, sigurisht që kjo krijon një ndiesi të veçantë”, deklaroi dr. Dollenberg.
Ajo mes tjerash theksoi se në aktivitetet e zhvilluara në Kongres do të arrihen rezultate të mira në shërimin e pandemisë që ka kapluar tash e një vit gjithandej globin.
Ndërkaq lidhur me vaksinimin e popullatës shqiptare, sidomos në Kosovë, dr. Dollenberg theksoi se do të bëjë çdo gjë që të jetë e mundur që njerëzit në Kosovë të vaksinohen në masë më të madhe.
“Ne si Federatë kemi bërë presion dhe do të vazhdojmë të bëjmë në vendet e BE-së që popullata në Kosovë të vaksinohet sa më parë, sepse është jo normale dhe bile e rrezikshme që pandemia të mund të kthehet sërish, sepse, sipas shifrave që kemi, deri tani në Kosovë janë vaksinuar më pak se 10 për qind e popullatës dhe, kur të kihet parasysh sezona e verës, kur shumë mërgimtarë do të vizitojnë Kosovën, rreziku i infeksionit do të jetë i madh, ndaj ne, si Federatë, do të bëjmë çmos që të ndikojmë te vendet e BE-së që të dërgojnë vaksina shtesë për vaksinimin e popullatës atje”, deklaroi, mes tjerash, dr. Dollenberg.
Tutje, dr Dollenberg foli për aktivitetin e Kongresit të Federatës së Mjekëve Shqiptarë, në analizat e situatës pas-pandemike, në mënyrë që të bëhet e mundur luftimin sa më me efikasitet të COVID-19./RTKLive























