KGjK filloi transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjeve

KGjK filloi transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjeve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 261-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit të ri, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Fillimisht, Kryesuesi Zogaj iu uroi mirëseardhje dy anëtarëve të rinj të Këshillit, gjyqtares Arjeta Sadiku dhe gjyqtarit Fidan Hoxha duke ju dëshiruar punë të suksesshme në përgjegjësitë e tyre si anëtarë të KGjK-së. Po ashtu, me rastin e përfundimit të mandatit të anëtarit të KGjK-së, Nenad Lazić, Kryesuesi Zogaj, shfrytëzoi rastin që në emër të Këshillit, të falënderoi anëtarin Lazić për kontributin dhe angazhimin e tij gjatë periudhës si anëtar i Këshillit.

Me qëllim të rritjes së transparencës së Këshillit, anëtarët aprovuan propozimin që mbledhjet e Këshillit të transmetohen drejtpërdrejtë/live në rrjetin social Facebook dhe faqe të Këshillit si dhe aprovuan që edhe raportimi i kryetarëve të gjykatave të Kosovës në Këshill të transmetohet drejtpërdrejtë/live.

Anëtarët shqyrtuan dhe aprovuan publikimin e vendimeve të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit dhe të gjykatave themelore, të cilat do të specifikohen me ndryshimin e Udhëzuesit 04/2019, me qëllim që sistemi gjyqësor të jetë sa më transparent dhe llogaridhënës ndaj qytetarëve.

Takimi vazhdoi me aprovimin e njoftimit të Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prizren, Xhemil Elshani dhe gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Elmaz Zenuni.

Anëtarët e Këshillit aprovuan dy kërkesa për transferim të përkohshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, të gjyqtarit Boban Aleksić, në Gjykatën Themelore në Gjilan si dhe gjyqtares Gordana Virijević – Popović në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, duke pasur parasysh edhe pëlqimin e kryetarëve të gjykatave përkatëse.

Në bazë të kërkesës së Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama, Këshilli caktoi nënkryetarin e kësaj Gjykate, gjyqtarin e Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Civile, Dren Rugova.

Anëtarët e Këshillit shqyrtuan kërkesën e u.d. gjyqtarit mbikëqyrës në Gjykatën Themelore Mitrovicë – Dega në Skenderaj, rreth shpalljes së konkursit për pozita të lira të gjyqtarëve porotë dhe aprovuan propozimin që Zyra Ligjore pranë SKGjK-së t’i përgjigjet kësaj kërkese.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e KGjK-së,  caktuan ushtrues detyre të Kryetarit të Gjykatës së Apelit, gjyqtarin Afrim Shala si dhe aprovuan shpalljen e konkursit të konkursit të brendshëm për njëmbëdhjetë (11) gjyqtar në Gjykatën e Apelit. Po ashtu, Këshilli aprovoi shpalljen e konkursit të brendshëm për dy (2) gjyqtar të lëmisë civile dhe një (1) gjyqtar  të Kolegjit të Apelit të Agjencisë Kosovare të Pronës të Gjykatës Supreme nga komuniteti jo shumicë.

Gjithashtu, Këshilli caktoi anëtarët e Komisionit Vlerësues për Intervistim, Vlerësim dhe rekomandimin e kandidatëve për pozitën e Kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës në Gjykatën Themelore Gjilan – Dega Novobërdë.

Po ashtu, Këshilli emëroi Komisionet për rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për ngritje në detyrë në Gjykatën Supreme dhe Gjykatën e Apelit.

Në vazhdim të këtij takimi, anëtarët e Këshillit aprovuan propozimin për lirimin e Kryesuesit Zogaj nga pozita e anëtarit në komisione të Këshillit si dhe shqyrtuan mandatin e anëtarëve të komisioneve të përhershme të KGjK-së dhe komisioneve ad hoc.

Në bazë të kërkesës së Akademisë së Drejtësisë, Këshilli emëroi ndihmës administratoren në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dega në Shtërpcë,  Zorica Petković, anëtare në Këshillin Drejtues.

Këshilli caktoi gjyqtarët: Mejreme Memaj, Nenad Lazić dhe Hajriz Hoti, anëtarë në Organin Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar dhe anëtar të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Gjithashtu, në vijim të takimit, është aprovuar propozimi që gjyqtares Lindita Jakupi lidhur me kërkesën për pushim mjekësor t’i përgjigjet Kryetari i gjykatës. Këshilli refuzoi kërkesën e gjyqtarit Gazmend Sylaj, për lirim nga përzgjedhja e anëtarit të Panelit Hetimor.

Anëtarët e Këshillit diskutuan edhe rreth anulimit të procedurave të rekrutimit për pozitën “Bashkëpunëtor Profesional”, e shpallur sipas konkursit të jashtëm nr. 03/2021, dhe aprovuan propozimin që ky konkurs të ri-shpallet pas përfundimit të Rregullores së re për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional. Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dyer të mbyllura për shqyrtimin e katër (4) rasteve disiplinore.    


MË SHUME NGA Nacionale