Vendimi për reciprocitet, MPB ka një njoftim me rëndësi për qytetarët
Sharr Travel

Vendimi për reciprocitet, MPB ka një njoftim me rëndësi për qytetarët

Ministria e Punëve të Brendshme ka deklaruar se qytetarët të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë të Mitrovicës, duhet t’i shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim. Përmes një komunikate për media, MPB bën me dije se kjo duhet të bëhet për shkak të pengesave që mund të paraqiten në rrugë.

“Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë të Mitrovicës, që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim, për shkak të pengesave të mundshme që mund të paraqiten në rrugë”, thuhet në njoftim.

Tutje, MPB bën me dije se qytetarët të cilët shkojnë nga Kosova në drejtim të Serbisë, mund të shfrytëzojnë targat e Serbisë, por në hyrje dhe qarkullim brenda Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa të përkohshme të RKS-së.

“Njëkohësisht, njoftojmë qytetarët të cilët qarkullojnë në dalje nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë, se mund të shfrytëzojnë targat e Serbisë, por se në hyrje dhe qarkullim brenda Republikës së Kosovës duhet që të pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës, sipas vendimit të sotshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftimin e MPB’së.

Ndryshe, nga sot ka hyrë në fuqi vendimi i reciprocitetit për automjetet me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Të gjitha automjetet me targa të Serbisë, janë të obliguara të vendosin targat e përkohshme, kur hyjnë në Republikën e Kosovës.


MË SHUME NGA Nacionale