Hoxhaj: Si u shpërndanë lajmet e rreme nga rusët për targat në veri
Sharr Travel

Hoxhaj: Si u shpërndanë lajmet e rreme nga rusët për targat në veri

Në ditën kur Policia e Kosovës ka zhvilluar aksionin për të zbatuar marrëveshjen e reciprocitetit për targat me Serbinë, disa profile që janë burim rus kanë shfaqur pamje të arritjes së konvojit të ushtrisë serbe në kufi të Kosovës. Menjëherë pas këtyre pamjeve viktimë të shpërndarjes ranë disa media vendore dhe analistë të huaj.

Për këtë veprim, eksperti i sigurisë Mentor Hoxhaj thotë për KosovaPress se në situata të tilla lajme dezinformuese kanë ndikim të madh. Ai thotë se mediat duhet të kuptojnë se në kohë krizash është me rëndësi saktësia e lajmeve dhe jo shpejtësia e publikimit të tyre. 

Sipas tij, Serbia dhe Rusia janë dy vendet që shfrytëzojnë kriza të tilla për të realizuar qëllimet e tyre, pikërisht përmes mediave. 

“Është mjaft shqetësuese shpërndarja e lehtë e lajmeve të pa verifikuara. Në kohë 'krizash' lajme dezinformuese kanë një impakt jashtëzakonisht të madh, andaj është e rëndësishme që në dy nivelet, në atë qeveritar dhe në atë të mediave të ketë protokoll të veçantë të transmetimit të lajmeve dhe publikimit të tyre. Mediat duhet të kuptojnë se në kohë krizash është me rëndësi saktësia e lajmeve dhe jo shpejtësia e publikimit të tyre”, shprehet Hoxhaj.

“Derisa tensionet vazhdojnë në veri të Kosovës, lëvizja e Ushtrisë serbe (Brigada Speciale 72) është parë në afërsi të Novi Pazarit”, ka shkruar profili ZOKA në Twitter, i cili është burim rus. 

Ndërsa, profili tjetër po ashtu me burim rus, Evergreen Intel thotë se një autokolonë serbe është parë në mesditë afër Kosovës.

“Një autokolonë serbe me 5 MRAP të Humvees & 5 BOV M16 Milos. Burimi i videos thotë se ka ndodhur në mesditë”, njofton ky profil në Twitter.

Këto publikime janë rishpërndarë nga disa analistë të huaj. 

Analisti Tim Judah me një shkrim në Twitter thotë se ushtria serbe po vjen në kufi me Kosovën.

“Ushtria serbe thuhet se po vjen në afërsi të kufirit me Kosovën dhe Policia e Kosovës u vendos në veri”, ka shkruar Judah.

Hoxhaj flet edhe për atë se nga u shpërndanë këto lajme të rreme, e që siç thotë ai, një skenar i tillë është duke u realizuar edhe në Kosovë. 

“Një skenar i tillë është duke u realizuar në Kosovë, ku fillimisht lajmet publikohen në median lokale ‘Kosovo online’, media kjo e mbështetur nga Serbia, dhe më pastaj këto hedhen në mediat ndërkombëtare përmes medias ruse ‘Sputnik’”, thotë ai.

Të hënën Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që zbatojë reciprocitetin në targa me Serbinë, vendim ky që po kundërshtohet nga serbët lokalë, të cilët kanë bllokuar rrugën në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës. 

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla kanë thënë se vendimi për targat nuk është provokim dhe as diskriminim ndaj serbëve. Ndërsa ka pasur thirrje edhe nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe Ambasadën Amerikane në Prishtinë për uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.


MË SHUME NGA Nacionale