Ismaili zotohet se do të ketë ekip të ndërrimit të dytë në komunë
Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili ka përmbyllë ciklin e tij 24-orësh në kryeqytet, në kuadër të aktivitetit të tij të fushatës, ku është takuar vazhdimisht me qytetarë.
Me këtë rast, Ismaili tha se ka kuptuar që shërbimet që e mirëmbajnë qytetin gjatë natës kanë nevojë për më shumë investime e kujdes, teksa u zotua për një ekip të ndërrimit të dytë që punon në ndërrimin e dytë në komunë.
Ismaili: Do të ndërtoj një ekip që punon në ndërrimin e dytë në komunë
“Programi im parasheh shumë shërbime, si mirëmbajtja e rrugëve dhe e lagjeve të bëhet gjatë natës. Rritja dhe përmirësimi i shërbimeve të ndërrimit të dytë e të tretë do të përmirësojë dukshëm cilësinë e jetës të qytetarëve. Prandaj sot jam këtu, pas 24-orësh të ciklit të vizitave dhe angazhimit, të bëj edhe një zotim: do të ndërtoj një ekip që punon në ndërrimin e dytë në komunë. Ekipi do të udhëhiqet nga një nënkryetar që ndihmon realizimin e të gjitha proceseve që Prishtina të jetë e gatshme kur banorët të fillojnë ditën në mëngjes”, tha ai.
Për 24 orë rresht, pretendenti për kryetar të Prishtinës tha se nuk i ka ndalur vizitat e tij me ekipe të shërbimeve të ndryshme të cilat punojnë pandërprerë, në mënyrë që siç tha ai, qyteti të funksionojë për të gjithë qytetarët e saj, të nesërmen, kur ata e fillojnë ditën e tyre.
Ismaili tha se aktiviteti 24-orësh, pa ndërprerje të takimeve, vizitave dhe diskutimeve me njerëzit pati për qëllim që bashkë me ekipin të njihen me sfidat e punëtorëve të të gjitha ndërrimeve në qytet në mënyrë që siç tha ai, të kuptojnë edhe mundësitë për rritjen dhe zhvillimin e ndërrimit të dytë e të tretë të punës në Prishtinë.
Ismaili: Shërbimet që e mirëmbajnë qytetin gjatë natës kanë nevojë për më shumë investime e kujdes
“Ishte përvojë sfiduese, e lodhshme, por edhe kënaqësi me e pa sesi funksionon Prishtina gjatë gjithë kohës. Takova mjekë, arsimtarë, taksistë, pensionistë, policë, zjarrfikës, ndërmarrës e sportistë[...]Pashë se si kompania e pastrimit ka nevojë për rritje të kapaciteteve për ndërrimin e dytë. Se ka nevojë për shtimin e kamionëve për pastrim. Se zjarrfikësit kanë nevojë për kushte më të mira të punës. Se mjekët e infermierët e Prishtinës tanë kanë nevojë edhe për më shumë përkrahje. 3 Pra, shumica e shërbimeve që e mbajnë qytetin gjatë natës kanë nevojë për më shumë investime e kujdes”, tha Ismaili.
Në serinë e vizitave përgjatë 24 orëve, Ismaili bëri të ditur se ka vizituar shërbimet të ndryshme të qytetit, përfshirë shoqatat relevante, qendrën emergjente, zjarrfikësit, stacionin policor, barnatoret, tregun e qytetit, shoqatën e taksive e shumë pjesëmarrës tjerë në këtë zinxhirë, të cilëve siç tha ai, u ka ofruar mbështetjen e tij të plotë dhe zotimin për vëmendje e kujdes të shtuar ndaj tyre, përfshirë përmirësimin e kushteve e mjeteve të nevojshme për punë.























