Tesla tejkalon parashikimet, prodhuesi amerikan me të ardhura rekorde
Sharr Travel

Tesla tejkalon parashikimet, prodhuesi amerikan me të ardhura rekorde

Prodhuesi amerikan i veturave elektrike “Tesla” arriti të ardhura rekord prej 13.76 miliardë dollarësh dhe një fitim neto prej 1.6 miliardë në tremujorin e tretë.

Kjo i tejkaloi parashikimet e tregut. Pavarësisht treguesve të mirë të biznesit, të shpallur mbrëmë pas kambanës që shënoi fundin e tregtimit në Bursën e New Yorkut, aksionet e “Tesla” ranë me 1.5 për qind, raporton cnbc.

Fitimet e rregulluara për aksion janë 1,86 dollarë kundrejt 1,59 dollarëve të pritur, sipas një sondazhi nga kompania e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave financiare Refinitive, dhe të ardhurat janë 130 milionë dollarë mbi 13,63 miliardë dollarë të parashikuar.

Fitimi neto tremujor i kompanisë, prej 1.6 miliardë dollarësh, kalon 1 miliard dollarë për herë të dytë dhe është pesë herë më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2020, kur arriti në 331 milionë dollarë, raporton autoblog.

Rezultatet e shkëlqyera financiare u udhëhoqën nga përmirësimi i marzhit bruto prej 30.5 për qind në sektorin automobilistik të “Tesla”, pra 26.6 për qind në total, në nivel të të gjitha njësive të biznesit, ku të dy treguesit shënojnë një rekord në pesë tremujorët e fundit.

Të ardhurat në sektorin e automobilave u rritën në 12.06 miliardë dollarë dhe kostot në 8.38 miliardë dollarë.

Tesla gjeneroi gjithashtu të ardhura prej 806 milionë dollarësh në biznesin e energjisë, i cili përfshin produkte diellore dhe të ruajtjes së energjisë, si dhe 894 milionë dollarë nga shërbimet dhe aktivitetet e tjera, duke përfshirë mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve, sigurimin e makinave dhe shitjen e mallrave të markës Tesla.

 

Për sa i përket energjisë dhe produkteve të ruajtjes, kostot u hodhën në nivelin më të lartë në pesë tremujorët e fundit, në 803 milionë dollarë gjatë tremujorit të tretë.

Në periudhën korrik-shtator, “Tesla” shënoi një rënie të vlerës së mjeteve financiare prej 51 milionë dollarësh, që i referohet investimeve të saj në bitcoin dhe që e prezantoi në raportin e biznesit në kuadër të kostove të “ristrukturimit dhe të tjera”.