Në spitalet e vendit pacientët po presin që 1 vit për intervenime
Sharr Travel

Në spitalet e vendit pacientët po presin që 1 vit për intervenime

Që nga viti i kaluar disa pacientë janë duke pritur për t’iu nënshtruar intervenimeve të ndryshme në institucionet publike shëndetësore në vend.

Për shkak të gjendjes me pandeminë, kryetari i FSSHK’së, Blerim Syla thotë se janë shtyer rreth 12 mijë operacione. Lista më të gjata të pritjes thuhet se janë në Gjinekologji, Kirurgji e Urologji.

Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla ka thënë për Express se që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në Kosovë janë shtyer rreth 12 mijë operacione elektive.

Ndonëse një pjesë e tyre janë realizuar me përmirësimin e gjendjes, Syla ka thënë se punëtorët shëndetësorë vazhdojnë të jenë të ngarkuar për shkak të gjendjes me pandeminë e operacionet që ende nuk janë realizuar.

“Punëtorët shëndetësorë janë të lodhur dhe të ngarkuar. Ne jemi duke vazhduar duke punuar por shëndetësia nuk është vetëm pandemi, kjo tregon më së miri se vetëm gjatë vitit të kaluar janë shtyer rreth 12 mijë operacione, tani ato operacione duhet t’i bëjmë prapë ne, e të mos flas për shërbimet tjera”, ka deklaruar ai.

Syla ka treguar se në spitale e në klinikat e QKUK’së listat e pritjes për operacione vazhdojnë të jenë të gjata.

“Këta vet i kanë anuluar operacionet, tani qytetarët ose duhet të presin ose të operohen në privat. Mund të marrim me mend sa shpenzime janë duke u bërë në institucionet private”, ka theksuar ai.

Sa i përket numrit të operacioneve të shtyera gjatë pandemisë, nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës nuk kanë pranuar të përgjigjen në pyetjet e gazetës.

Ndërsa, se janë shtyer një numër i madh i operacioneve gjatë pandemisë e se qytetarët po vazhdojnë të presin për t’u operuar e kanë konfirmuar edhe nga spitalet rajonale.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini ka thënë për Express se gjatë pandemisë i kanë trajtuar të gjitha rastet emergjente, mirëpo jo edhe operacionet elektive.

Ai ka thënë se ka mundësi që disa pacientë të cilët nuk janë raste emergjente janë duke pritur që nga viti i kaluar për t’u operuar, por që sipas tij ka edhe prej tyre që nuk kanë pritur e i janë drejtuar klinikave private.

“Rastet e ftohta, raste elektive kanë pritur dhe me siguri që lista të pritjes ka në Kirurgji, në Urologji, Gjinekologji, ka në Ortopedi. Në pjesën në mes të pandemisë kemi filluar të punojmë më tepër, ke një valë dhe u deshtë t’i ndërpresim. Në dy valën e dytë të pandemisë u kthyem në normalitet por ajo zgjati shkurt dhe fillo vala e fundit”, ka theksuar ai.

Tutje Emini ka thënë se janë duke u munduar që të shtojnë vëllimin e punës në mënyrë që të ulin numrin e pacientëve që po presin që një vit.

“Po mundohemi me e shtu vëllimin e punës, sot e kemi vetëm një pacientë, edhe ai është post-COVID. Ai po na kufizon pak por po mundohemi që të punojmë tani më tepër, që t’i pakojmë ata që kanë prit që një vit e tepër. Lista të pritjes kemi dhe po mundohemi me i zvogëlu. Me stafin që e kemi po mundohemi me i kry punët sa më shumë që ka mundësi”, ka shtuar ai.

Me lista të pritjes po punojnë edhe spitalet tjera.

Nga spitali i Pejës kanë thënë për gazetën se kanë lista të pritjes për operacione elektive, megjithëse është thënë se këto lista nuk janë të gjata.

Me lista të pritjes po punohet edhe në spitalin e Ferizajt, kryesisht në repartin e kirurgjisë.

Nga ky spital kanë thënë se punën po ua vështirëson mungesa e anesteziologëve derisa janë shprehur se po presin mbështetje nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës në rekrutimin e anesteziologëve shtesë.

Ndërsa, edhe nga spitali i Mitrovicës kanë thënë se janë të ngarkuar më shumë në repartin e kirurgjisë por edhe atë të pediatrisë.

Nga ky spital kanë thënë se tani listat nuk janë të gjata.

Kujtojmë që më 11 nëntor të vitit të kaluar, Komiteti për menaxhim të situatës me Covid-19 në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, kishte marrë vendim që në institucionet publike shëndetësore të ofrohen vetëm shërbime për rastet emergjente. Këto shërbime ishin rikthyer në janar të këtij viti.

Ndërsa, për shkak të rritjes së numrit të rasteve të infektuara me COVID-19, më 23 gusht të këtij viti Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës kishte marrë vendim përsëri që të ndërpriten operacionet elektive.

Si rrjedhojë, shumë pacientë që kishin të caktuara terminët për intervenime, nuk kanë pasur mundësinë që t’i nënshtrohen atyre.