Bashkëjetesa mes komuniteteve në Kosovë është e mundshme
Drita Loshi, Radio Kosova
Çdo të premte, në tregun e gjelbër në Kamenicë shesin tregtarë të komunitetit shqiptar e serb. Ndonëse mund të mos flasim mirë gjuhën e njëri-tjetrit, ata kuptohen dhe thonë se nuk kanë asnjë telashe mes tyre. Ndonjëherë diskutojnë edhe për të kaluarën, por gjithnjë janë tolerantë dhe kujdesen që të ruajnë raportin e mirë, pasi e dinë se edhe të ardhmen do ta ndajnë bashkë.
Një nga tregtarët është Zija Morina nga fshati Topanicë i Kamenicës. Ai thotë se nuk kanë probleme fare me tregtarët tjerë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
“Mirë kalojmë mes vete, nuk ka të këqija mes nesh, edhe kur ka qenë pushteti serb, na si tregtarë nuk kemi pasur telashe”, thotë Morina.
Në treg shet produkte të ndryshme bujqësore edhe Stanka Stankoviq nga fshati Drenovc i Kamenicës. Ajo thotë se jetojnë mirë e pa probleme me shqiptarët, madje thekson se çështjet politike nuk iu interesojnë aspak.
“Jetojmë mirë, nuk kemi grindje me askënd, ne shesim e të tjerët blejnë, jetojmë mirë. E shihni, këtu pranë meje shitësi është shqiptar, nuk na pengon asnjërit, s’kemi asnjë problem tash për tash jo. Mua s’më intereson politika, për mua me rëndësi është të jesh njeri i mirë, politika nuk më intereson”, thotë ajo.
Në treg shet edhe Afrim Isufi, i cili ka një fermë të tij. Megjithëse punon si mësues, ai detyrohet të dalë në treg për të siguruar të ardhura shtesë për familjen e tij, pasi ka edhe tre fëmijë studentë.
“Këtu është një vend i qetë i mirë, nuk kemi pasur probleme, unë s’di që ka ndodhur ndonjë ekses prej pasluftës, e kaluara ka kaluar, tash duhet një zgjidhje, si të sillen ata do të sillemi edhe ne”, thotë Isufi.
Edhe Stanko Nikoliq nga Berivojca shet produkte në tregun e Kamenicës. Ai shprehet se shqetësimi i tyre i vetëm është rënia e shitjes për shkak të pandemisë. Përndryshe, thekson se raportet ndëretnike i kanë të mira me të gjithë, sidomos në fshatin e tij, ku thotë se banojnë pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme.
“Në fshatin tonë jetojnë romë, serbë dhe shqiptarë, unë kam fqinj shqiptarë por s’kemi pasur probleme. Në tregun e përbashkët i shesim gjërat që i kultivojmë me anëtarët e familjes”, thotë Nikoliq.
Janjeva është një tjetër vend që njihet për bashkëjetesën dhe tolerancën mes komuniteteve. Ky vendbanim i vjetër në komunën e Lipjanit, dikur i banuar me shumicë kroate, tash është i banuar me shqiptarë, kroatë, boshnjakë, turq e romë, të cilët jetojnë në harmoni me njëri tjetrin.
Kryetari i fshatit, Behxhet Konxheli, tregon se në Janjevë fillimisht kishin ardhur tregtarë kroatë nga Dubrovniku, të cilët edhe kishin hapur punëtori e fabrika. Por, pas fillimit të luftës në Kroaci dhe pas luftës në Kosovë shumë sish janë shpërngulur, ndërsa tani vendi është shumetnik.
“Bashkëjetesën e kemi shumë të mirë. Meqenëse jemi multietnik, disa komunitete jetojmë këto, kroatë, shqiptarë, turq, rom, ashkali edhe boshnjakë dhe gjithmonë kemi kaluar mirë. Edhe përpara tregojnë se ky është vendbanim i vjetër, ku ekziston prej shekullit të 14-të”, thotë ai.
Edhe Suad Bikliqi banor shqiptar i Janjevës që i përket brezit të ri, e lavdëron jetën e përbashkët mes komuniteteve, që sipas tij është shembull për të mirë për gjithë vendin:
“Jeta në Janjevë që në kohërat e vjetra e deri në kohët e sotme ka qenë e jashtëzakonshme në aspektin e bashkëjetesës mes komuniteteve të ndryshme këtu në Janjevë. Ne nuk kemi pasur asnjëherë asnjë problem, asnjë diskriminim, gjithmonë kemi jetuar e vepruar bashkë, kafe kemi pirë bashkë, me shoqëri kemi dalë bashkë, nuk ka pasur asnjë problem dhe është për t’u admiruar si pjesë e kulturës që në shumë pak vende të Kosovës mund ta gjesh një bashkëjetesë të tillë”, thekson ai.
Në Janjevë jetojnë edhe 42 familje të komunitetit rom. Mehmedali Gradina, banor i këtij komuniteti konfirmon harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet banorëve.
“Ne këtu gjithnjë kemi jetuar mirë, edhe para luftës edhe pas luftës, këtu si vëllezër, edhe sot e kësaj dite po jetojmë si vëllezër, pa marrë parasysh a është shqiptar, kroat, rom, boshnjak apo turk, ne jemi këtu si vëllezër”, thotë Gradina.
Në këtë vendbanim jetojnë rreth 100 familje kroate. Qeshko Karamatiq, thotë se nuk ka probleme ndërmjet komuniteteve, por ka probleme tjera, që e vështirësojnë jetën.
“Mungojnë të gjitha, duke filluar nga mungesa e ujit si dhe kushteve elementare, pastaj edhe me rrjetin elektrik kemi telashe”, thekson ai.
Karamatiq thotë se të rinjtë e këtij komuniteti kanë mërguar, për një jetë më të mirë, ndërkaq atje jetojnë kryesisht të moshuar.
Migrimi është shndërruar në dukuri shqetësuese, kohëve të fundit, pohon Ferdian Shala, përfaqësues i Asociacionit të të rinjve për të drejtat e njeriut me seli në Lipjan.
“Është shqetësuese mirëpo unë po besoj që duhet të punojmë jashtëzakonisht shumë që këta të rinj të mos i lejojmë të ikin, sepse janë gjenerata që do ta zhvillojnë vendin tonë”, shprehet Shala.
Shala thekson se në bazë të shumë takimeve me të rinj të komuniteteve të ndryshme në Lipjan, ata nuk janë peng i së kaluarës.
“Frika më e madhe e të rinjve është punësimi dhe zhvillimi i familjes së tyre, sepse direkt varen nga kjo, dhe shkollimi i tyre. Nuk është peng ajo që ne jemi shkëputur nga një luftë, tashmë po kalojnë më shumë se 20 vjet, nuk duhet ta harrojmë assesi historinë tonë, atë se çfarë ka ndodhur, por nuk duhet të jemi peng i asaj, por duhet të zhvillohemi, të ngrihemi e të ecim përpara”, shton ai.
Marrëdhëniet ndëretnike të të gjitha komuniteteve që kanë jetuar në Kosovë dhe në Sanxhak të Nishit, kanë qenë shumë të mira dhe korrekte, derisa nuk është përzier politika, thotë Jusuf Osmani, historian.
“Politika, qëllimet ekspansioniste të pushtetit serb për pushtimin e Sanxhakut të Nishit, pushtimin e Kosovës dhe daljen në bregdet, që ka pasur synim të përhershëm dhe sllavizmin e atyre trevave, i kanë keqësuar marrëdhëniet ndëretnike. D.m.th. qëllimi i pushtetit serb ka qenë që t’i prishë ato marrëdhënie dhe të krijojë mosbesim ndëretnik”, pohon Osmani.
Që nga shekulli i XII-të, kur sllavët kanë ardhur në Kosovë, ka pasur ndonjë ekses ndëretnik, mirëpo gjithmonë kanë qenë marrëdhëniet korrekte thotë Osmani.
“Popullata mund të jetojë në harmoni, e barabartë në rrethana siç ka qenë dhe siç do të jetë, prandaj politika nuk duhet të ndikojë në këto marrëdhëie”, shprehet ai.
Agjencia e statistikave të Kosovës çdo vit bën vlerësimin e popullsisë në nivel vendi dhe disa indikatorë tjerë, thotë Avni Kastrati, drejtor i Statistikave Sociale në ASK.
“Sa i përket numrit të popullsisë rezidente, të dhënat e fundit tregojnë se popullsia në Kosovë është një milion e 790 mijë banorë rezidentë, ndërsa për nga përkatësia e tyre etnike, Agjencia e statistikave nuk ka bërë ndonjë vlerësim përveç të dhënave nga regjistrimi i fundit i vitit 2011”, shprehet ai.
Kastrati thotë se në vitin 2011 një pjesë e komunitetit serb nuk ka marrë pjesë në regjistrim, por bazuar në ato të dhëna, 91 për qind e banorëve rezidentë janë shqiptarë dhe pjesa tjetër janë nga komunitetet.
“Monitorimi vjetor i përkatësisë etnike, ndryshimit të popullsisë së një vendi për nga përkatësia etnike është sfidë për të gjitha vendet, dhe nuk e bëjmë ndërmjet regjistrimeve”, potencon Kastrati.
Ndryshe, vitin e ardhshëm gjatë regjistrimit të popullsisë, pritet të jetë indikator dhe planifikohet të grumbullohen të dhënat edhe rreth përkatësisë etnike e cila jeton në Kosovë, thekson Kastrati. Sipas tij, serbet e komunave veriore të Kosovës kanë shprehur interesim për regjistrim, sepse vetëm në atë mënyrë do të marrin informacione të sakta jo vetëm për numrin e përgjithshëm të popullsisë, por edhe për moshën, gjininë, statusin e tyre të punësimit dhe indikatorë tjerë që grumbullohen vetëm me anë të regjistrimit të popullsisë.























