Në vitin 2021 kanë kredituar ekonominë e vendit me rreth 1.5 miliardë euro
Është hapur“Konventa Vjetore bankare`, e organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK). Kjo është ngjarja më e madhe e komunitetit bankar që organizohet në Kosovë.
Albert Lumezi, kryetar i Bordit të Drejtorëve në Shoqatën e Bankave, tha se në vitin 2021 kanë kredituar ekonominë e vendit me rreth 1.5 miliardë euro.
“Ky vit për të gjithë ne paraqet një vit të angazhimit për rimëkëmbje nga vështirësitë e jashtëzakonshme të shkaktuara nga pandemia në vitin e kaluar, dhe me të cilat ende po ballafaqohemi. Këtë vit kemi bërë shumë punë, në mënyrë që të solidarizohemi dhe të ndihmojmë në të gjitha sferat e jetës ku kemi mundësi, e më shumë në rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Për ne si sektor bankar, viti që po e lëmë pas, paraqet një vit kur ne jemi përkushtuar me të gjithë mundësitë tona që t’i mbështesim klientët tanë, që t’i rigjallërojnë bizneset e tyre dhe të rikuperojnë dëmet që vitin e kaluar ishin shkaktuar në shumë sektor të ekonomisë. Përmes Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe në koordinim me BQK-në, Ministrinë e Financave, FMN-në, ne bashkëpunuam në shumë iniciativa të dobishme të cilat kishin për qëllim ofrimin e mbështetjes financiare, si për ndërmarrje, ashtu edhe për ekonomitë familjare”.
“Në këto angazhimet e përbashkëta, ne e arritëm që të kreditojmë ekonominë e vendit me rreth 1.5 miliardë euro brenda vitit 2021, me ç’rast u koordinuam me institucionet e lartcekura për t’u ofruar shumë lehtësira, si fleksibilitet ne pagesën e kësteve të kredive, normave preferenciale të interesit, subvencionim të kredive investive e shumë të tjera”.























