Acari polar, këto janë datat kur në Kosovë ishin temperaturat më të ulëta
Kosovë

Acari polar, këto janë datat kur në Kosovë ishin temperaturat më të ulëta

Sot parashihet të jetë dita më e ftohtë e kësaj jave, ndërkaq në mëngjes temperatura ishte – 18C.

Sipas faqes Prishtina Weather, acari polar e ka përfshirë Europën juglindore, ndërkaq temperaturat më të ulëta në Kosovë janë shënuar më 26 janar 2000, -29.2C.

Ndërkaq, në janar të vitit 1985 në Prishtinë ishte shënuar temperatura -27.2C.

“Sado këto temperatura të regjistruara në vendin tonë të jenë të ulëta, duhet cekur se temperatura më e ulët në Prishtinë është regjistruar më 13 janar të vitit 1985 me -27.2C, e në aeroportin e Prishtinës -29.2C më 26 janar të vitit 2000. Herën e fundit temperatura minimale edhe deri në -24C u regjistruan para pesë vitesh në janarin e vitit 2017”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, thuhet se acari polar që ka pushtuar Europën juglindore në këto ditët e fundit, në rajonin tonë solli temperatura mjaft të ulëta.

“Dita e martë edhe parashihej të ishte më e ftohta e kësaj jave. Mëngjesin e sotëm në aeroportin e Prishtinës u regjistrua temperatura prej -18C, e në qytet deri në -14C. Në pjesët tjera të vendit në Anamoravë zbriti në -15C, -13C e -11C në Dukagjin”, thuhet në njoftimin e Prishtina Weather.

“Mirëpo ngricat u shtrinë edhe nga Shqipëria, deri në bregdet, -4C u regjistrua temperatura minimale në Durrës e -5C në Vlorë, e krejt në jug në Sarandë -2C. Më në brendi u regjistruan temperatura prej -8C në aeroportin e Tiranës, -5C në qytet në Tiranë, me -8C ishte Kuçova si dhe Gjirokastra, -6C Shkodra, e vendet më të ftohta ishin Korça e Peshkopia me -13C. Ngricat prekën edhe Ulqinin me -3C, Podgoricën me -3 e -1C, ndërkaq vendi më i ftohtë në rajon ishte Sjenica me -25C”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, mot i acartë mbetet edhe në ditët e ardhshme, mirëpo që temperaturat gradualisht fillojnë të rriten, me maksimale edhe në vlera pozitive.


MË SHUME NGA Kosovë