Kurti: S’ndërhyjmë në përzgjedhjen e Kryeprokurorit
Kosovë

Kurti: S’ndërhyjmë në përzgjedhjen e Kryeprokurorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për çështjen e kryeprokurorit pasi Aleksandër Lumezit, i përfundon mandati në muajin prill dhe tashmë konkursi është i hapur.

“Nuk zhvilloj bisedime me kandidatë të cilët mund të jenë për kryeprokuror, është në vullnetin dhe interesin e atyre që kanë të drejtë të bëhen kryeprokuror të ardhshëm që të kandidojnë dhe fitojnë”, tha Kurti për mediat, njofton Klankosova.tv.

Vendimi për shpalljen e konkursit për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës të mbajtur më 12 janar të këtij viti.

Pas shpalljes së këtij konkursi nga ana e KPK-së kishte reaguar Ambasada e Britanisë së Madhe.

Kjo e fundit ishte shprehur e befasuar me vendimin e marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues”, kishte thënë kjo ambasadë në reagim.