KPK prezanton draftin e Planit strategjik 2022-2024
Kosovë

KPK prezanton draftin e Planit strategjik 2022-2024

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur një takim për prezantimin dhe diskutimin e draftit të Planit strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024. Në këtë takim, përveç anëtarëve të Grupit punues për hartimin e këtij plani, morën pjesë edhe partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët monitorojnë sistemin prokurorial.

Takimi u hap nga Kryesuesi i Grupit punues për hartimin e Plani strategjik, Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Veton Shabani, i cili falënderoi të gjithë ata që kanë mbështetur draftimin e këtij plani, me theks të veçantë partnerët ndërkombëtarë. Zëvendëskryesuesi Shabani, tha se drafti i Planit strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024 paraqet kornizën kryesore të planifikimit të politikave për menaxhimin e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës në tri vjetët e ardhshëm.

 

Në këtë takim, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se qëllimi i këtij plani është realizimi i objektivave të parapara, me ç’rast në fokus të veçantë të kësaj strategjie janë vënë edhe ndëshkimi i korrupsioni, krimit të organizuar dhe i disa veprave të tjera penale, që, faktikisht, mbajnë peng edhe zhvillimin e vendit dhe janë shumë të   rëndësishme edhe në proceset e integrimit në Bashkimin Evropian.

 

Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, tha se Plani strategjik paraqet një kornizë të gjerë të veprimtarisë së sistemit prokurorial, duke u mbështetur në praktikat më të mira vendore dhe ndërkombëtare. Ai, shtoi se në këtë dokument janë vlerësuar edhe sfidat dhe rreziqet që mund të paraqitën gjatë zbatimit në praktikë, sidomos ato që kanë të bëjnë me reforma në sektorin e drejtësisë, përkatësisht me ndryshimet ligjore.

 

Këtë takim e përshëndeten edhe Volkmar Theobalt dhe Cristian Nicoara, përfaqësues të projektit EUKOJUST dhe David Wells, përfaqësues i projektit britanik “Fuqizimi i sistemit të drejtësisë”.

 

Në vazhdim, kryesuesi i Grupit punues prezantoi procesin e hartimit të draftit të kësaj strategjie, si dhe shtyllat dhe objektivat që përmban ky draft. Ndërsa, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Valdrin Krasniqi, prezantoi Raportin për zbatimin e Planit strategjik paraprak.

 

Takimi vazhdoi me diskutime nga pjesëmarrësit, të cilëve po ashtu iu ofrua mundësia që komentet eventuale lidhur me këtë draft të Planit strategjik t’i dërgojnë me shkrim.

 

Ky takim u mbështet nga Projekti EUKOJUST dhe është mbajtur me prani fizike dhe përmes platformës Zoom. ​