Kryeprokurori i shtetit synohet të zgjedhet me ligjin e ri
Kosovë

Kryeprokurori i shtetit synohet të zgjedhet me ligjin e ri

Çështja e zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit vetëm ka shtuar përplasjet ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial. Konkursi nga KPK u shpall ditë më përpara përderisa ministria në anën tjetër ka finalizuar ndryshimet në ligjin për Këshillin Prokurorial.

​ Edhe pse në ligj nuk parashihet që kryeprokurori të zgjidhet me këto ndryshime, RTK ka mësuar se një gjë të tillë pritet ta kërkojnë deputetët e Kuvendit.

RTK raportoi se pasi të ligji të shkojë në Kuvend deputetët do të synojnë shtimin e një amendamenti me të cilin mundësojnë që zgjedhja e kryeprokurorit të bëhet me ligjin e ri që do të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Anëtarë të Komisioni për Legjislacion në Kuvend nuk e kanë konfirmuar e as mohuar këtë, duke mos dashur të flasin pa e pranuar ligjin.

Sipas ndryshimeve ligjore, nga 13 anëtarë sa kishte KPK do të mbesin shtatë. Katër anëtarë, prokurorë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe 3 të tjerë jo prokurorë që do të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.

Ndryshimet parashohin që anëtarët aktualë të zgjedhur nga Prokuroria Speciale dhe ajo e Apelit ta vazhdojnë mandatin deri në fund. Tre anëtarët aktualë të Këshillit të zgjedhur nga Kuvendi të mbajnë mandatin deri në votimin e anëtarëve të rinj në legjislativ, kurse nga shtatë anëtarë të prokurorive themelore me short do të zgjidhet një i cili do të vazhdojë të mbetet në Këshillin Prokurorial.

Si rezultat i gjithë kësaj do të ndryshonte edhe mënyra e zgjedhjes së kryeprokurorit. Në IKD vlerësojnë se Ministria është vonuar me ndryshimet duke e bërë të pamundur zgjedhjen e kryeprokurorit me ligjin e ri.