Peci: Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë mund të ketë pasoja në Ballkan
BKT
Kosovë

Peci: Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë mund të ketë pasoja në Ballkan

Drejtori i Institutit KIPRED dhe njohësi i zhvillimeve ndërkombëtare, Lulzim Peci, ka thënë se pushtimi i mundshëm i Ukrainës nga Rusia mund të ketë pasoja edhe në Ballkan. Ai po ashtu mendon se kjo mund t’i sjellë Kosovës njohjet nga katër anëtarët e NATO-s dhe kjo mund të ndodhë për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në krahun jugor të Aleancës.

“Qëllimi i Rusisë nuk është që vetëm ta pushtojë Ukrainën, por edhe ta ndërrojë me forcë rendin e tanishëm evropian e botëror, si dhe të testojë kohezionin e perëndimit, dhe sidomos atë të NATO-s. Ditë të errëta janë pranë kontinentit tonë, që mund të kenë për pasojë mijëra viktima në Ukrainë, por edhe me gjerë, nëse konflikti eskalon përtej kufijve të këtij vendi”, ka shkruar Peci në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij kjo mund të ketë pasoja edhe në Ballkan, duke përfshirë këtu edhe momentin e së vërtetës për Serbinë, e cila nuk do ta ketë komoditetin që të jetë deklarativisht njëkohësisht edhe me perëndimin edhe me Rusinë.

“Sot, për të gjitha vendet e rajonit do të jetë çështje kyçe besueshmëria e tyre si aleate të perëndimit dhe rreshtimet e tyre, jo vetëm në raport me konfliktin në Ukrainë, por edhe në raport me sigurinë dhe stabilitetin në rajon, në këto kohë të turbullta me zhvillime të cilave nuk ju dihet fundi”, ka shkruar tutje ai.

Peci mendon se me intervenimin eventual të Rusisë në Ukrainë, do të hapet edhe kapitulli i rrënimit të Kombeve të Bashkuara, si institucion përgjegjës për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, dhe sipas tij kjo do ta rikthejë politikën e balancit të fuqisë në kontinentin tonë, 33 vite pas pëerfundimit të Luftës së Ftohtë.

“Në këto rrethana, njohja e Kosovës nga katër vendet mosnjohëse të NATO-s, mund të bëhet një imperativ për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në krahun jugor të Aleancës”, ka përfunduar Peci.


MË SHUME NGA Kosovë