Shtrenjtimi i derivateve ua vështirëson jetën qytetarëve
Visar Shatrolli
Çmimet e derivateve për çdo ditë u ngritën. Këto çmime po ua vështirësojnë jetën qytetarëve të Kosovës. Sipas të dhënave, çmimi për një litër naftë ka shkuar deri në 1.82 euro.
Nga shoqata e naftëtarëve arsyetohen se ngritja e çmimit nuk varet nga ta, e ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, thotë se ngritja e çmimit me këtë hov, s'është korrekte nga naftëtarët.
Për çdo ditë çmimet e naftës po rriten. Një fuçi naftë sipas bursës botërore deri në orët e pasdites të së mërkurës mund të blihej me 127 dollarë. Këto efekte kanë ndikuar menjëherë në Kosovë. Çmimi i një litre naftë ka shkuar mbi 1.70 euro e në disa pika karburanti deri në 1.82 euro.
" Nëse deri para pak ditës me 10 euro keni mundur ta mbushni veturën tuaj me 8 litra naftë, sot me 10 euro mund ti merrni vetëm 6 litra, dhe krejt kjo për shkak të rritjes drastike të çmimeve të naftës ..."
Nga frika për shtrenjtim më të lartë, interesimi për t'u furnizuar me naftë në pikat ku çmimi varion 1.64 euro ishte i madh. Ngritjen e çmimeve të derivateve, qytetarët ankohen se nuk do të mund ta përballojnë.
" Shumë është e rand teper cmim drastik është ekstrem janë çmimet e shtrenjta, por sidomos derivatet e naftës jashtëzakonisht shumë...", thotë Halit Bytyçi, qytetar.
"Çmimi është katastrofë për jetën tonë që e këna një jetë mesatare s’edi deri ku do të shkon kështu veç secilën herë ngritje si çmime rroga minimale katastrofë ..", thotë Halil Kodra, qytetar.
Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve, ka thënë se mund të ketë edhe mungesë të këtij derivati, përveç shtrenjtimit të tij.
"Sot kur nuk është aq i lartë çka do të thotë se do të ketë krizë e do të ketë mungesë të derivatit të naftës por qytetarët duhet të pajtohen me këto çmim shkaku që nuk varen nga ne ...", thotë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Të kundërtën e Berjanit e thotë ministrja Hajdari. Ajo pohon se ka stoqe me karburant mjaftueshëm.
“...Nuk kemi asnjë bllokadë me furnizim me naftë, nuk kemi bllokadë. Kemi caktuar marzhën 4-6%, ne jemi të hapur, por jo të gjitha kërkesat sepse ne jemi Qeveri që kujdesim për qytetarin. Qytetarët janë ata që e mbushin arkën e shtetit si dhe të biznesit. Nuk kemi pasur diskutim për akcizë, kemi mjaft stoqe, kemi mjaft importe të naftës dhe po i përcjellim çdo ditë nga dogana”, tha Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë dhe Industrisë.
Sidoqoftë, me ngritje a pa ngritje të çmimit të naftës, rrugët e kryeqytetit ende janë të stërmbushura./RTKlive























