Lamborghini do të prodhojë 15 kopje shtesë të Aventador
Auto

Lamborghini do të prodhojë 15 kopje shtesë të Aventador

Lamborghini do të rifillojë prodhimin e Aventador për të kompensuar ekzemplarët e humbur në zjarrin dhe fundosjen e anijes së ngarkesave.

Ai që konsiderohej si skenar i mundshëm tashmë ka marrë konfirmimin zyrtar, pasi Lamborghini ka njoftuar se do të rifillojë prodhimin e modelit Aventador për të zëvendësuar 15 veturat nga seria Ultimae që u dogjën dhe u fundosën së bashku me anijen e mallrave Felicity Ace.

Bëhet fjalë për një anije që transportonte më shumë se 4000 automjete nga Volkswagen Group, e cila mori flakë teksa lundronte në Oqeanin Atlantik. Pavarësisht përpjekjeve të shpëtimit, zjarri u përhap dhe anija përfundimisht u mbyt dhe përfundoi në fund të oqeanit. Në bord kishte 85 vetura Lamborghini, shumica e të cilave ishin shembuj të Urus SUV.

Megjithatë, anija mbante gjithashtu 15 kopje të Aventador. dhe CEO i Lamborghini, Stephan Winkelmann konfirmoi se kompania do të rifillonte prodhimin e super veturës me fuqi V12 për të kompensuar humbjet. Kopjet e humbura të Aventador Ultimae ishin rrugës për klientët e tyre në SHBA.

Makinat e mbetura të humbura i përkasin modeleve që janë ende në prodhim, kështu që Lamborghini nuk do të ketë shumë probleme për t’i zëvendësuar ato.

Nuk dihet ende nëse rifillimi i prodhimit të Aventador do të vonojë prezantimin e pasuesit të tij. Makina e re hibride V12 është në fazën përfundimtare të testimit.

Anija Felicity Ace mbante një sërë makinash, me një vlerë totale prej rreth 401 milionë dollarë. /Telegrafi