Banorët e lagjes “Kalabria” kundërshtojnë shfuqizimin e planit rregullues
Banorët e lagjes “Kalabria” kanë protestuar para Komunës së Prishtinës.
Ata janë mbledhur që të kundërshtojnë shfuqizimin e planit rregullues për këtë lagje.
Sipas banorëve, me shfuqizimin e këtij plani, gjysma e lagjes “Kalabria” mbetet e bllokuar totalisht.
Ata thonë se në vitin 2021 është miratuar plani rregullues për lagjen dhe është aprovuar në Asamble, e cila më pastaj ka shkuar në Ministri të Planifikimit
“Shfuqizimi i planit Rregullues për “Kalabrinë” e pamundëson mbulimin e lumit dhe pamundëson punimin e rrugës A. Kryetar mos e blloko “Kalabria”, ishin disa nga thirrjet e tyre në pankarta.
Besim Krasniqi, përfaqësuesi i lagjes, tha se shfuqizimi i këtij plani do të jetë i dëmshëm për banorët e saj.
Ai tha se tri protesta deri më tani i kanë mbajtur dhe se do ta kundërshtojnë edhe më tej shfuqizimin e këtij plani.
“Kjo protestë është duke u mbajtur për të mos e shfuqizuar planin, i cili është miratuar në kuvendin komunal me 10 nëntor dhe ai plan ka hyrë ne gazetë zyrtare komunale pas 15 ditësh. Sot kërkojmë nga asambleja të mos bëjë shkelje, sepse nuk kanë të drejtë ta shfuqizojnë atë. Nëse shfuqizohet do të sjellë shumë probleme, sepse njerëzit kanë lidhë shumë kontrata dhe kanë detyrime”, tha Krasniqi./S.K.























