Kolektivi “Marshojmë S’festojmë” thotë se u gjobit nga policia
Policia e Kosovës ka shqiptuar një gjobë për kolektivin “Marshojmë s’festojmë” pas aksionit simbolik të mbajtur më 8 mars në ditën ndërkombëtare të gruas.
Kështu ka njoftuar ky kolektiv, të cilët kanë thënë se gjoba është shqiptuar edhe pse Policia ka qenë në dijeni për aksionet të cilat janë zhvilluar më 8 mars të këtij viti.
Sipas kolektivt një gjobë e tillë është akt hakmarrës nga ana e Policisë ndaj aktivistëve pas kritikës të cilët këta të fundit ia bën organeve të rendit, duke e cilësuar Policinë se një nga institucionet kryesore përgjegjëse për neglizhimin dhe trajtimin jo-adekuat të rasteve të dhunës ndaj grave.
“Kjo gjobë, përveç që na revolton, është e papranueshme dhe thellësisht e padrejtë për ne. Kjo pasi Policia e Kosovës, duke qenë njëra nga institucionet kryesore përgjegjëse për neglizhimin dhe trajtimin jo-adekuat të rasteve të dhunës ndaj grave, është konsideruar njëra nga fajtoret për vrasjen e grave”, thuhet në reagimin e kolektivit.
Në njoftim tutje thuhet se gjoba e shqiptuar është një përpjekje për të frikësuar dhe dobësuar organizimin feminist në Kosovë.
“Është e qartë se aparati shtypës shtetëror duke parë potencialin e organizimit feminist në Kosovë, përmes këtyre përpjekjeve për frikësim, tenton ta dobësojë atë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë që këtë 8 mars kolektivi “Marshojmë s’festojmë” ka organizuar një marsh në Prishtinë ku ka protestuar kundër vrasjeve të grave./E.H/























