Kryetari i Gjilanit takon ambasadorin e Norvegjisë
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.
Në takim, Hyseni e ka njoftuar ambasadorin norvegjez për projektet që janë duke u zbatuar në Gjilan dhe për planet në të ardhmen.
“Unë kam prezantuar para ambasadorit vizionin tonë për Gjilanin, se ku e shohim komunën tonë pas katër vjetëve. E dimë që do të kemi sfida të shumta, mirëpo nuk do t’i përdorim të njëjtat si arsyetime, por do t’i shfrytëzojmë si mundësi, në mënyrë që të kërkojmë ndihmë e përkrahje nga të tjerët për t’i realizuar të gjitha këto programe që i synojmë për Gjilanin, për ta bërë ndryshimin përmbajtësor lidhur me jetën në qytetin tonë”, ka shtuar kryetari Hyseni.
Ndërkaq, ambasadori Grondahl e ka falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen dhe ofrimin e gatishmërisë për bashkëpunim në disa fusha.
“Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që bashkëpunimi mes Norvegjisë, Komunës së Gjilanit dhe kryetarit të komunës po shkon mirë. Ne ndamë disa shqetësime dhe disa prioritete për bashkëpunim dhe jam shumë i lumtur që mësova për ambiciet e kryetarit për Komunën e Gjilanit dhe gjithashtu për ofrimin e shërbimeve për njerëzit e kësaj komune. Në lidhje me bashkëpunimet brenda rajonit me komunat tjera përtej kufijve, kemi kënaqësinë të themi se kjo po shkon shumë mirë", tha ambasadori Grondahl./S.K.























