Me peticion kundër ndërtimit të fabrikës (Video)
Banorët e fshatrave Dollc dhe Gremnik të Klinës, nëpërmjet një peticioni, kundërshtojnë ndërtimin e një fabrike të çimentos në Dollc. Ata thonë se ndërtimi i saj është në kundërshtim edhe me vlerësimet e ekspertëve, sepse ndikimi në mjedis është tejet i lartë.
Ahmet Maholli /RTK
Nënshkruesit e peticionit kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në Dollc të Klinës, kanë bërë kërkesa të vazhdueshme në institucione të nivelit qendror dhe lokal për të mos lejuar ndërtimin e saj.
Por, kjo duket se nuk u mor parasysh. Për më tepër kompania arriti ta marrë lejen nga Drejtoria e Urbanizmit, pavarësisht se ajo ishte refuzuar nga Asambleja Komunale.
“Drejtoria e urbanizmit duke mos shqyrtuar vendimet e asamblesë komunale e ka lëshuar edhe lejen ndërtimore”, thotë Ahmet Gashi për RTK-në, që është edhe nismëtar për peticion.
“Komuna e Klinës është në gjykatë sa i përket interpretimit të atij vendimi të asamblesë të datës 5 mars 2020, është absurd i llojit të vet, sepse nuk ka mundësi që një lend të jetë në gjykatë, e operatori të jetë I pajisur me të gjitha dokumentet”, thotë ai.
Ankesë të ngjashme ka edhe Josip Dedaj, banor i Dresnikut. “Më shtrenjtë na bën shërimi i njerëzve nga dëmet që sjellë kjo fabrikë, duke filluar nga kanceri, që i kemi dëgjuar prej profesionsitëve”, thotë Dedaj për RTK-në.
Dhe pikërisht këtë të martë, Komuna e Klinës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme ku asamblistët opozitarë diskutuan rreth respektimit të procedurave për dhënien e lejes nga Drejtoria e Urbanizmit më 25 janar të këtij viti. Sipas opozitës, leja e lëshuar është në kundërshtim me jetën e qytetarëve.
“Vibracionet e mundshme sipas dokumenteve të komunës janë 7 të merkalit, a e dini cka thotë shkalla 7-të…thotë rrezikshmëri shumë e fuqishme dhe shkalla 8-të shkatërrimtare”, thotë Zafer Gashi, asamblist i Vetëvendosjes.
“Kemi pasur një deklarim pro peticionit qytetar dhe kemi marrë një vendim për rregullimin e të gjitha pëlqimeve derisa gjykata të vendosë ndryshe ose ne ta shfquqizojmë atë vendim”, deklaroi Arben Limani, asamblist i LDK-së.
“Në kushtet në të cilat jetojmë, bëhet fjalë se fabrika ndotë ambientin, dhe ne si asamblsitë do të vendosim në bazë të vlerësimeve të ekspertëve”, Arta Pantina, asambliste e PDK-së
Kreu i komunës, Zenun Elezaj, tha se drejtoria e Urbanizmit e ka lëshuar një pëlqim për fabrikën, të cilin më vonë e kishte anuluar asambleja komunale, por nuk shkoi shumë kohë, dhe Ministria e Pushtetit Lokal e anuloi vendimin e komunës që e ndalon ndërtimin e fabrikës, duke e kthyer në rishqyrtim, por edhe në gjykatë. Ndërkohë, sipas tij, ishte Ministria e Mjedisit që ka detyruar komunën për lëshim të lejes ndërtimore.
“Vednimin që e kemi marrë 2020 për anulim të lejes, ka dalë se është antiligjor, është vlersu nga ministria e pushtetit local dhe ministritë e linjes, dhe ne nuk guxojme me implemtu një vendim që është antiligjor”, tha Elezaj, raporton RTK.
“Leja ndërtimore kuvendi komunal ka konsideru se nuk I takon me lëshu leje ndërtimore për resursin në fjalë, mirëpo ministria e mjedisit me shkresë të veqantë, na është drejtu dhe na ka detyru që na me lëshu”.
Asamblekja komunale e Klinës formoi një komision për mbledhjen e dokumenteve të cilat do t’i adresojë në prokurori.
Ndërkaq, me gjithë kërkesat e bëra nga RTK, në ministritë e linjës, asnjëra prej tyre nuk ka qenë e gatshme të deklarohej për këtë çështje.























