Edhe sot testimi i trafikut në Prishtinë
Qëndresa Duraku /RTK
Këtë vikend, Komuna e Prishtinës, ka realizuar testin e parë rreth qarkores duke i kthyer rrugët njëkahore për automjete.
Gjatë ditës së djeshme, por edhe sot është duke u bërë ky testim nga Komuna e Prishtinës, por kryeqyteti duket i stërngarkuar nga automjetet.
Ngasësit e automjeteve konsiderojnë se kjo nuk është zgjidhje për kryeqytetin.
“Është dashur më u leshu edhe kjo trak, s’po e kupto. Kurrë gjë nuk u bë këtu. Le ta provojnë, jemi mësuar na me eksperimente”, tha një qytetar për RTK-n.
“Tmerr kjo nuk është zgjidhje. Prej Fushë Kosovë unë duhet më ardhur e mu sjellë rreth e rreth e mu kthye prapë”, tha një tjetër qytetar.
Por Komuna e Prishtinës e vlerëson si të rregullt këtë testim.
“Sot dhe nesër kemi filluar me testimin sipas rekomandimit të taskforcës. Testimi ka filluar mirë. Realisht në vlugun e komunikacionit, në rrugën ‘Agim Ramadani’ rekomandimi nga taskforcës ka qenë të bëhet vetëm me dy korsi, ndërsa prej orës 14:00 kemi filluar me tri”, tha Ilirik Musliu, drejtor për shërbime publike.
Një testim i njëjtë do të realizohet edhe gjatë vikendin të ardhshëm.























