Grevës i bashkohen edhe punëtorët e KEK-ut (E plotësuar)
Foto: RTK
Kosovë

Grevës i bashkohen edhe punëtorët e KEK-ut (E plotësuar)

Qëndresa Duraku-Xharra / RTK

Grevës njëorëshe të thirrur nga  Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, u janë përgjigjur pozitivisht një numër i madh punëtorësh të sektorit publik.

Përveç mësimdhënësve e atyre që punojnë në administrata komunale, grevës me kërkesë për rritje të pagave, u janë përgjigjur edhe punëtorët e Termocentraleve në vend.

Punëtorët e KEK-ut e posaçërisht ata të termocentralit “Kosova B” i janë përgjigjur pozitivisht kësaj thirrjeje.

Ora 10:40

Grevë 1 orëshe edhe në Komunën e Prishtinës 

Edhe në Komunën e Prishtinës nuk është dhënë asnjë shërbim qytetarëve gjatë periudhës së grevës 1 orëshe.

Ora 10:30

Jasharaj: Me 20 maj protestë, Qeveria të bisedojë me ne (E plotësuar)

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, bashkë me anëtarë të tjerë të Këshillit Qendror Grevist, kanë përcjellë nga afër rrjedhën e grevës një-orëshe në disa institucione arsimore të Prishtinës.

Gjatë vizitës në shkollën fillore “Asim Vokshi”, Jasharaj tha se shtetit i mbetet t’i respektojnë mësmimdhënësit.  Ai ka thënë se janë duke u përgatitur për grevën e 20 majit para Qeverisë.

“Nëse i dhimbsen Qeverisë Kurti nxënësit dhe mësimi le të ulet me sindikatat dhe të bëjë zgjidhje. Urojmë që greva e sotme të tingëllojë në veshët e qeverisë, por jemi duke u përgatitur edhe për 20 maj për protestën në Prishtinë. Pastaj çfarëdo që ndodh do të vendosni ju”, tha Jasharaj para mësmimëdhënsve.

Ai shtoi se zgjidhje ka dhe është i hapur që të marrë çdo ide nga mësimdhënësit.

 

Ora 9:30

Sindikatat sot me grevë njëorëshe

 

Sot në të gjitha institucionet e Kosovës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës organizon grevë njëorëshe.

Përmes kësaj greve sindikalistët kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që t'i plotësojë kërkesat e tyre për ndarjen nga 100 euro çdo muaj për të gjithë punëtorët në sektorin publik deri në miratimin e ligjit për paga, në të kundërtën ata paralajmërojnë që pas 20 majit do të detyrohen të hyjnë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Por nëse nuk veprohet dhe ofrohet dialogu i duhur social nga partneri social – Qeveria, atëherë më 20 maj 2022 do të mbahet protestë gjithëpërfshirëse e cila i paraprinë grevës së plotë në nivel vendi" - deklaroi Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, do të ndjek nga afër rrjedhën e grevës njëorëshe në Shkollën “Asim Vokshi”.

Ndër kërkesat e sindikalistëve, mësimdhënësit por edhe punëtorët e sektorit publik, kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të pagave. Ditë më parë, në Prishtinë, BSPK-ja organizoi gjithashtu një protestë me kërkesa të njëjta.